Rama thumbon liderët e Kosovës: Është për të qeshur dhe qarë “Ballkanin e Hapur” e shihni si dominim serb

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i cili po qëndron në Kosovë, ka thumbuar liderët tanë një ditë para takimit mes qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, duke thënë se është për të qeshur dhe qarë se si shikohet çështja e Ballkanit të Hapur, ngase volumi më i madh tregtar i Serbisë është këtu.

Rama ka dhënë lajmin e mirë për prodhuesit kosovarë që destinacion të eksportit e kanë Shqipërinë.

Ai ka bërë të ditur se qeveria që ai drejton, do t’i heq të gjitha tarifat doganore me Kosovën, duke nisur nga produktet bujqësore, edhe pse qeveria e Kosovës ka thënë se i duhet kohë për ta bërë për produktet e Shqipërisë.

“Jemi në një fazë të avancuar që t’i heqim të gjitha tarifat e mallrave që vijnë nga Kosova në Shqipëri, procese që e rendojnë eksportin.

E kemi bërë në kuadër të Ballkanit të Hapur e pakuptim mos ta bëjmë me Kosovën. Shpresoj që edhe Kosova ta bëj reciprokisht”, tha Rama

Rama tutje përmendi edhe Ballkanin e Hapur, duke u habitur se si politika në Kosovë po e sheh këtë iniciativë, duke theksuar volumin me të madh tregtar Serbia e ka në Kosovë.

“Është për te qeshur dhe për te qarë se si Ballkani i Hapur shihet si dominim i Serbisë, ndërsa rritja dhe volumi tregtar më i madh është këtu, në Kosovë.

Ballkani i Hapur vetëm do zgjeroj frymëmarrjen ekonomike për të gjithë, nuk mund të nisesh si të pengosh tjetrin. Secili do merr atë që i takon”, tha Rama ndër të tjera.

“Sa më mirë të jenë fqinjët ekonomikisht aq më mirë shkojnë politikisht”, tha tutje Rama.

Gjithashtu në këtë takim foli edhe Kryetari i Odës ekonomike amerikane, Arian Zeka, i cili i bëri thirrje qeverisë së Kosovës që t’i bashkohet Ballkanit të Hapur, pasi kjo u mundëson edhe investitorëve ekonomik, pasi që krijon treg më të madh.

Ai shprehi keqardhje që asnjë ministër dhe as kryeministri nuk është i pranishme.

“Nga Oda Ekonomike Amerikane bëj thirrje që edhe Kosova të jetë pjesë e Ballkanit të Hapur, që krijon treg me të madh për investitor ekonomik.
Është për keqardhje që nuk është asnjë ministër dhe as kryeministri këtu përball jush dhe t’i diskutoni këtu”, tha Zeka.