Vuçiq insiston në themelimin e Asociacionit, Kurti i prerë: S’mund të krijohet pa njohje de facto nga Serbia

Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe mbetet pika më e nxehtë në procesin e dialogut Kosovë – Serbi. E për këtë, ka insistim të madh nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për çka edhe diskutoi sot në Beograd me të Dërguarin e Posaçëm të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

Sipas njoftimit të Presidencës serbe, Vuçiq insistoi në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, por në takim janë diskutuar edhe tema të tjera të rëndësishme të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Në anën tjetër, në një intervistë për televizionin austriak “ORF-TVthek” të hënën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u tregua i prerë sa i përket çështjes së Asociacionit.

Kurti ka thënë se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë nuk mund të krijohet pa e njohur Serbia de facto pavarësinë e vendit, derisa ka kërkuar që BE-ja t’i japë statusin e vendit kandidat Kosovës, duke thënë se duhet të merret parasysh progresi i vendit në disa fusha të caktuara.

Duke komentuar draft-statutin “evropian dhe modern” për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, kreu i ekzekutivit kosovar ka bërë me dije se vetë ka propozuar që draft-statuti për “mekanizmin vetë-menaxhues” për serbët e Kosovës të hartohet nga bashkësia e organizuar ndërkombëtare, por gjithmonë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Ai ka shtuar se draft-statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe pranohet nëse është në përputhje me tri kritere: Vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës (2015), letrën e ish-kryediplomates evropiane Federica Mogherini (2016) dhe qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) të shprehur nga diplomatët Derek Chollet dhe Gabriel Escobar (2022).

Më herët gjatë vitit, Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen drejt normalizimit të raportet.

Kjo marrëveshje, prej 11 nenesh, mes tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut.