Analisti i përhershëm në emisionin sportiv “Favorit” në T7, Ismet Munishi, ka vlerësuar se komuniteti i trajnerëve nuk po mbron trajnerët vendorë.
Ai përmendi edhe disa trajner të rinj në Kosovë, që sipas tij, po bëjnë punë të mirë në futbollin tonë, shkruan Gazeta Express.
“Komuniteti ynë nuk bënë asgjë për mbrojtjen e trajnerëve. Vijnë trajnerët e huaj këtu dhe i marrin ‘në qafë’ klubet këtu. Ne duhet të jemi të kënaqur me trajnerët e rinj që kemi si; Granit Begolli, Elon Berisha, Megzon Visoka, Leotrim Krasniqi, Liridon Leci, Alban Dragusha, Erdin Hashani etj,.”, tha Munishi.
“Tregomëni se çfarë risive solli Vavalis këtu, Gliha… Komuniteti ma i poshtër është ai i futbollit, shumë servil. Duhet të çlirohemi nga këtu komplekse. Klubet po i mbrojnë gabimet dhe kështu po shkojnë më thellë”, shtoi trajneri kosovar.
Munishi përmendi edhe klubin e Ferizaj, ku ishte trajner së fundmi. Ai nuk pranoi të flasë për detajet, por la të nënkuptohet se diçka nuk ka shkuar mirë.
“Në Ferizaj kam shkuar si me shku Mourinho te Foggia. Organizmi ka qenë super, por çka ka ndodhë gjatë rrugës po më vije marre më tregu”, deklaroi Munishi.
Emisioni sportiv “Favorit” është rikthyer sonte dhe do të transmetohet në televizionin T7 çdo të diel nga ora 22:00. /Gazeta Express/