Ish i fejuari i vrau prindërit dhe e mori peng ngjarja qe tronditi vendin

Mediat në Shqipëri tashmë kanë zbuluar detaje nga dëshmia e Rozalinda Plakës, ish-të fejuarës së Refit Buzit, i cili tre ditë më parë vrau prindërit e saj, e mbajti peng atë për disa orë dhe më pas i dha fund jetës.

 

Në dëshminë e publikuar nga Top Channel, Rozalinda ka rrëfyer historinë e lidhjes me Buzin, arsyet që çuan në ndarjen e tyre, si dhe momentet e tmerrshme që përjetoi natën kritike.

Ajo ka treguar se raporti mes tyre kishte nisur vite më parë dhe ishte kurorëzuar me fejesë në vitin 2020, transmeton Klankosova.tv

 

Megjithatë, në vitin 2024 vendosi t’i jepte fund marrëdhënies, pasi, sipas saj, sjellja e Buzit dhe mënyra e jetesës së tij nuk ishin më të pranueshme.

“Në vitin 2020 kemi shpallur fejesën dhe kemi krijuar hyrje-dalje familjare. Lidhja jonë ka vazhduar deri në vitin 2024, kohë në të cilën unë kam kërkuar të ndahem nga ai, por Refiti nuk ka pranuar. Arsyeja ka qenë sepse ai kishte një jetë të çrregullt, nuk ishte i përqendruar te lidhja jonë, kishte qenë jashtë shtetit në burg dhe të gjitha këto nuk më përshtateshin mua.”
Ajo ka bërë të ditur se edhe prindërit e saj kishin qenë në dijeni të problemeve në marrëdhënien e tyre dhe nuk e kishin mbështetur këtë lidhje.

“Këto gjëra i dinin edhe prindërit e mi, të cilët nuk kanë qenë dakord për këtë lidhje që në fillim.”
Duke kujtuar natën e krimit, Rozalinda ka rrëfyer se ishte në gjumë kur u zgjua nga një zhurmë e fortë, që fillimisht iu duk si krismë arme.

“Kam qenë duke fjetur gjumë në dhomën time, kurse prindërit e mi kanë qenë në dhomën e tyre. Kam dëgjuar zhurmë të fortë që më është dukur si krismë arme dhe kam dalë në korridor të shikoj se çfarë kishte ndodhur.”
Kur doli në korridor, ajo u përball me një skenë tronditëse.

“Kur dola kam parë shtetasin Refit Buzi në korridor, me një armë të gjatë si ato të gjahut në dorë, si dhe kam parë babain tim Kosta Plaka të shtrirë përmbys te hyrja e dhomës, i mbuluar me gjak”, raporton TCh, transmeton Klankosova.tv
Sipas dëshmisë, ajo tentoi t’ia merrte armën autorit, por ai reagoi me dhunë.

“Unë i kam kapur armën dhe po e mbaja, por Refiti bërtiste: ‘Do t’ju vras të gjithëve’. Më shtyu dhe më qëlloi me grusht, theu derën e dhomës sime dhe aty jam plagosur me copa xhami në trup.”
Pas kësaj, Buzi e nxori me forcë nga shtëpia dhe e futi në automjet.

“Më mori me forcë e më hipi te makina. Momenti kur më mori me forcë nga shtëpia deri kur kam hipur në makinë nuk më kujtohet, sepse kam qenë shumë e tronditur.”
Hetimet për njarjen po vazhdojnë, ndërsa autoritetet shqiptare kanë deklaruar se po punojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivet që çuan në tragjedinë me tre viktima. /Klankosova.tv