Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka “tentuar t’u shesë një truk” liderëve evropianë në takimin e djeshëm në Bruksel, por që sipas tij, është një “truk jetëshkurtër”.
Vuçiq i ka cilësuar “mashtrime” ato që ka bërë Kurti në takimin me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, presidentin francez, Emmanuele Macron, kryeministren italiane, Giorgia Meloni, të shoqëruar nga përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell e emisari i BE-së, Miroslav Lajçak.
Sipas tij, Kurti prezantoi idenë për nënshkrimin e të tri dokumenteve, pasi e dinte se Serbia nuk mund të nënshkruante.
“Kurti bëri një truk të mirë, por afatshkurtër dje. Ai e ka paraqitur idenë, të nënshkruajmë të tre dokumentet. Bëhet fjalë për dy marrëveshjet, në Bruksel e Ohër. E propozoi sepse e dinte që Serbia nuk do ta pranonte. Ai nuk është gati të themelojë Asociacionin. Ai nuk do të përmbushë gjithçka, është e qartë se ishte një truk për të blerë kohë”, ka thënë Vuçiq në TV Pink.
Vuçiq ka thënë se kjo është hera e fundit që Kurti e bëri, sepse sipas tij, kjo nuk mund të kalojë më.
“Ai e provoi më parë, por dje ishte hera e fundit që e bëri, sepse nuk mendoj se mund të kalojë më”, ka vijuar ai.
Tutje, Vuçiq ka thënë se së shpejti pret një vizitë të madhe nga Bashkimi Evropian (BE).
“Besoj se do të jetë një takim në nivelin më të lartë. Besoj se do të vazhdojmë bisedimet, për ne BE-ja është partneri kryesor, partneri ynë më i rëndësishëm, prandaj besoj se do të vazhdojmë bashkëpunimin”, ka thënë Vuçiq.
Ndryshe, të enjten, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u pritën në takime të ndara nga liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë, si dhe nga shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell dhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.