Gjatë muajit nëntor do të ketë shumë deklarime kundërthënëse nga zyrtarë të Qeverisë së Kosovës për atë e çfarë po ndodhë në dialog dhe cili është “plani i ri” i Bashkimit Evropian, por kjo do të bëhet vetëm për konsum të brendshëm, pasi, siç kupton Albanian Post nga burime ndërkombëtare të përfshira në bisedime, Albin Kurti ka dhënë pajtimin e tij qysh në takimin e së shtunës me 21 tetor.Se Kosova tashmë e ka pranuar këtë “plan të ri” që në fakt është pranim i obligimeve të vjetra, është kuptuar edhe nga kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, i cili në një prononcim për Televizionin 7 ka thënë se “nuk e kam shqyrtuar me kujdes, por kështu në shikim sipërfaqësor ‘plani i ri’ (drafti i Asociacionit) është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe nuk përbën kurrfarë niveli i tretë”.
Edhe pse deklarimi i ndërmjetësuesit të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, në shoqërinë e Gabriel Escobar-it nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Jens Plotner nga Gjermania, Emmanuel Bonne-s nga Franca dhe Alessandro Cattaneo nga Italia, ishte se janë pajtuar që të vazhdojnë bisedimet, në fakt pajtimi për ecjen tutje me “planin e ri” ka ndodhur.
Sa i përket udhëtimit të kryeministrit Kurti drejt Brukselit, Albanian Post ka kuptuar se përkundër tentimeve nuk është arritur që të sigurohet një takim i tij me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.
Kurti, njëjtë si Vuçiç, do të ketë takime dypalëshe me liderë të ndryshëm evropianë në margjinat e samitit të BE-së ku mblidhen liderët e unionit.
Meqë Kosova ka pranuar të procedojë gjatë muajit të ardhshëm me një draft për statutin e Asociacionit, AP kupton se Serbia ka pranuar që të ndërmarrë diçka për pikën e njohjes së pasaportave.
Gjatë nëntorit do të ketë një varg takimesh më intensive se sa në muajit e fundit, por më i rëndësishmi do të jetë ai me 10 dhe 11 nëntor në Forumin e Paqes në Paris.
Forumi i parvjetshëm adreson nevojat e bashkëpunimit të shteteve për çështje të ndërvarura, duke theksuar mungesën e aksionit të përbashkët në kohëra të turbulencave ndërkombëtare, por këtë radhë, buzë kësaj, rrumbullakson edhe pajtimin dy-palësh Kosovë – Serbi për të vazhduar me zbatimin e pikave të tjera të dala nga Marrëveshja e Brukselit e aneksuar në Ohër.
Gjithashtu, nga ky Forum i Paqes, për shkak të akordit të plotë në rrugën përpara, Kosovës do t’i hiqen masat shtrënguese, duke dhënë shenjën kështu të respektimit të kërkesave nga ndërkombëtarët.
Deri në fund të nëntorit do të mbahen disa takime, të cilat më shumë do të vlejnë si amortizim i elektorateve politike si nga Kurti në Kosovë, ashtu edhe nga Vuçiç në Serbi.
Pajtimi dhe heqja e sanksioneve ndaj Kosovës në njërën anë, do të përcjellet edhe me zhvillime të tjera, si kthim i serbëve të Kosovës në institucione, të paktën në disa nivele, në mënyrë që të mundësohet shpallja e zgjedhjeve.
Edhe-rikonstruktimi formal i Listës Serbe me kryetar të ri është bërë në funksion të mundësimit të deklarimit të kësaj partie se tash janë pro zgjedhjeve dhe do të marrin pjesë.
Se si do të gjendet një rrugë e mesme për shkuarje në zgjedhje është çështje që vazhdon të diskutohet, por nëse gjithçka shkon sipas planit edhe shpallja e zgjedhjeve pritet të bëhet kah fundi i muajit nëntor.
Albanian Post kupton se në Bruksel dhe Uashington aktualisht janë shumë të kënaqur me përparimt e bërë në dialog dhe rrugën përpara.