Shkruan Mustafa Nano
Në Tiranë ka ndodhur një ngjarje e rëndë, me të cilën nuk merret askush. Në një Comedy Club (nuk e kam ditur që ekziston një i tillë), dikush me prirje komike ka marrë mikrofonin e ka bërë ironi me ezanin.
Ju e dini, ezani është ajo lutja që u bëhet myslimanëve pesë herë në ditë, e që unë asnjëherë nuk e kam kuptuar, dhe nuk e kuptoj gjithë ditën e ditës, pse duhet të jetë një thirrje që bëhet me altoparlantë. Unë e kuptoj pse bëhet me altoparlantë në vendet arabike: arabët janë të gjithë myslimanë.
Ndërsa në këtë vendin tonë nuk ka vetëm myslimanë. Ka edhe të tjerë, të cilët nuk janë pak. Dhe për këta të fundit, të dëgjojnë ezanin nuk është ndonjë qejf i madh, nuk është fare qejf, është në të vërtetë bezdi, ashtu siç është bezdi çdo gjë që njeriut i futet përdhunshëm në jetën e tij. Nuk keni menduar ndonjëherë për këtë? Mendojeni pak. Është tamam kështu. Ne e kemi pranuar këtë gjë, por është një gjë që duhet ta shtrojmë për diskutim, në kuadër të një diskutimi më të madh mbi bashkëjetesën fetare në Shqipëri.