Mbi 21 familje që jetojnë në kushte të mjerueshme në Kosovë nga sot u është shtuar edhe një gajle tjetër. Ata tash do të mendojnë se si (nuk) do të kenë mundësi që t’i blejnë librat për fëmijët e tyre, që shkollën fillore e nisin javën tjetër. Ministria e Arsimit po planifikon që t’i rimbursojë prindërit kosovarë dhe ata t’i blejnë vetë librat për fëmijët e tyre.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka deklaruar të hënën se janë duke shqyrtuar mundësinë që paratë për blerjen e librave për vitin e ri shkollor t’ua transferoj drejtpërdrejt prindërve përmes platformës e-Kosova, teksa ka shtuar se për këtë çështje pritet të vendoset brenda këtyre ditëve.
Mirëpo, ende nuk është sqaruar se si do t’i paguajnë librat prindërit që nuk i kanë kushtet e mjaftueshme për to, raporton Paparaci.
Kjo pasi sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), në muajin qershor të këtij viti, nga skema e ndihmës sociale kanë përfituar 21 mijë e 131 familje, me gjithsej 83 mijë e 363 anëtarë.
Rrjedhimisht, akoma nuk është e bërë e ditur se si këto mijëra familje, do të kenë mundësi që fëmijët e tyre mos t’i lënë pa libra për vitin e ri shkollor, i cili nis më 1 shtator.
Po ashtu, MAShTI ende nuk e ka shpjeguar se si ka mundësi që për prindërit kosovarë të jenë më të lira librat me pakicë sesa ato me shumicë nëse do t’i kontraktonte vetë ky institucion me shtëpitë botuese, shkruan Paparaci.
Nga ana tjetër, ministrja Nagavci ka thënë se ka dallime të mëdha të çmimeve të teksteve shkollore.
“Ka pasur dallime të mëdha të çmimeve të teksteve shkollore, kemi pasur jo vetëm dallim nga viti në vit dhe rritje të çmimeve, por edhe dallime për tekstet e të njëjtës klasë nga shtëpitë e ndryshme botuese”, u shpreh ajo para gazetarëve, pa treguar se sa para do t’i kursente buxheti i Kosovës nëse veç aplikohet kjo metodë.
Gjer më tani, ministria e Arsimit i ka blerë librat direkt nëpër shtëpi botuese, nga ku ato u janë shpërndarë nxënësve nëpër shkolla.
E tash, MAShTI po synon ta ndryshojë strategjinë dhe do të vendosë brenda pak ditëve për planin e ri për blerjen e teksteve shkollore për nxënësit.
“Sivjet po shqyrtojmë mundësinë që transferimi i mjeteve për sigurimin e teksteve shkollore, sipas obligimit ligjor të Ministrisë së Arsimit, të bëhet në llogari të prindërve dhe të njëjtit t’i blejnë tekstet për fëmijët e tyre. Shumë shpejt, brenda dy a tri ditëve do të vendoset për këtë”, ka thënë Nagavci.
Ndaj deklaratave të Nagavcit, ka reaguar edhe Shtëpia botuese “Dukagjini”, transmeton Paparaci.
Në reagim thuhet se kjo shtëpi botuese ka bërë ofertë në ministri me çmim rreth 4% më lirë krahasuar me vitin e kaluar.
“Dukagjini” ka shkruar se është duke e përcjellë me vëmendje diskutimin që është duke u bërë për librat për filloristët.
“Shtëpia jonë botuese, për hir të transparencës, dëshiron ta njoftojë opinionin publik se në ofertimin që kemi bërë në Ministri, pavarësisht inflacionit dhe rritjes globale të çmimeve, kemi ofertuar me çmim më të lirë për rreth 4% krahasuar me vitin 2022. Megjithkëtë, shtëpia botuese “Dukagjini” do ta bëjë maksimumin që t`i përmbushë obligimet që dalin nga legjislacioni në fuqi”, thuhet në reagim./Paparaci.com