Enver Hajdari nga OVL-UÇK, ka thënë se do të jenë pengesë e pakapërcyeshme duke mos i lënë deputetët të hyjnë në Kuvendin e Kosovës që t’i mbajnë seancat.
Kështu është shprehur ai në emisionin “Debat plus”, në RTV Dukagjini ku po diskutohet për pakënaqësitë e veteranëve të luftës.
“Një ta keni parasysh edhe ky popull le ta dijë se veteranët e luftës nuk i kallin institucionet që i kanë krijuar vetë. Pyeteni nëse nuk është krejt në pyetje paga minimale por është thyerja e dinjitetin të UÇK-së, nëse vjen te hyrja ne do të jemi pengesë e pakapërcyeshme që mos t’i lëmë të hyjnë në kuvend që të mbajnë seanca”, u shpreh ai.
Në anën tjetër Xhavit Jashari nga OVL-UÇK, ka thënë se “do t’i vijë radha asaj, veç mos u ngutuni”.
Kështu ka thënë Jashari, deri sa po debatonte me analistin Lirim Mehmetaj, i cili tha se shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje ka biseduar për dinjitetin e veteranëve me një serb, i cili siç thotë Mehmetaj është një kriminel.
“Çka ia prish terezinë Mimoza Kusarit OVL-ja? Ajo ka biseduar për dinjitetin e juaj me një serb i cili është kriminel. Po të isha kryetar i OVL-së, do të isha ende në derë të parlamentit, ajo s’bën të hyjë në parlament”.
Ai vlerëson se prej se ka ardhur në pushtet qeveria aktuale në krye me kryeministrin Albin Kurti, e kanë atakuar luftën e ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kategoritë e dala nga lufta.