Drafti për asociacionin, Rama: Ia kam dorëzuar dy ‘kumbarëve’, Macron dhe Scholz! Vuçiçi: Mos më pyesni kur do të takohem me Kurtin, s’jam optimist

Kryeministri Edi Rama në konferencën me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç u pyet për draft asociacionin që ka propozuar për komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, për të cilën tha se këtë draft se ka lexuar as Kosova dhe as Serbia, por ia ka dërguar dy kumbarëve të dialogut, Emmanuel Macron dhe Olaf Scholz.

“Propozimi i një draft statuti është një kontribut nga ana ime shumë pozitiv në përmbajtje, por që nuk pretendon të jetë një kon që palët ta marrin e ta pranojnë, apo nuk është i konsultuar me asnjërën nga palët. Më vjen keq që disa nuk duan ta kuptojnë, që nëse ky do ishte një kontribut në emër të Kosovës, atëherë ky kontribut nuk do kishte asnjë vlerë. S’do e merrja përsipër, pasi për Kosovën flasin ata që e përfaqësojnë, ashtu siç nuk mund të ishte një kontribut që mund ta diskutoja me Vucic. I është dorëzuar dy kumbarëve, Macron dhe Scholz dhe Michel. Dhe kaq. U takon palëve që ta kërkojnë ta lexojnë apo jo, ta konsiderojnë apo jo. Besoj se tërheqja zvarrë e asociacionit është gabim strategjik. këmbëngulja për të mbajtur me godina bosh të mbushura me policë kryetarë komunash që u zgjodhën në kushte e bojkotit por nuk mund të vazhdojnë të qëndrojnë si pengesë për zgjidhje, është gabim strategjik, shpresoj që Serbia do e thotë qartë që në momentin që hapet rruga për zgjedhje do bëhen zgjedhje dhe do garantohet pjesëmarrja”, tha Rama.

Nga ana e tij Presidenti serb Aleksandër Vuçiç teksa u pyet nëse do të ketë takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, u shpreh se as ta që janë më afër Kurtit nuk e dinë se kur do e takojnë atë, duke iu referuar kryeministrit të Shqipërisë.

“Por duhet te dini se si është situata, se si janë reagimet në veri. Nuk kam problem të takohem me Albin Kurtin, unë kam folur me të gjithë që nga Thaçi dhe kam kërkuar që të gjej zgjidhje. Më pyesni se kur do të shoh Albin Kurtin por unë nuk e di as ata që janë më afër tij se kur do ta shohin. Unë nuk jam aq optimist se sa Edi. Sepse ky di të flasë më mirë se unë me Brukselin. Mos na pyesni mua dhe Edin për Kosovën dhe Metohinë në sytë e njërit -tjetrit”, deklaroi ai.