Këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Jeton Zulfaj ka folur për qëndrimin e Kurtit dhe tensionet e fundit që shpeshherë kanë nxitur edhe përplasje me aleatët e Kosovës.
Zulfaj ka thënë se Kurti dhe Qeveria e Kosovës në thelb dhe fokus ka interesat e Kosovës.
Ai ka thënë se Kurti nuk ikën nga obligimet që ka marrë me besimin e votës nga qytetarët.
“Kurti nuk ikë nga obligimet që i ka marrë dhe nga interesat shqiptar. Jo çdo herë mund të ketë pajtim 100% të plotë për qasjen (me ndërkombëtarët), por në thelb e në fokus janë gjithmonë interesat e Kosovës”, ka thënë Zulfaj në emisionin “Majtas Jo Djathtas”.
Zulfaj ka thënë se kryeministri dhe qeveria disa herë kanë thënë se përkëdhelja e presidentit serb Aleksandar Vuçiq nga ndërkombëtarët nuk funksionon, sikur që nuk ka funksionuar me presidentin rus Vladimir Putin.
Sipas Zulfajt, Kosova nuk duhet ta paguajë përkëdheljen e Vuçiqit me shpresën që ai do ta braktisë rreshtimin pas Putinit.
“Ne kemi thënë që përkëdhelja nuk ka funksionuar me Putinin, nuk funksionon as me autokratin Vuçiq. Përkëdheljen e Vuçiqit me shpresën që nuk shkon kah Putini, nuk duhet ta paguajmë ne”, ka deklaruar tutje ai.
“Kurrë s’ka qenë betejë e lehtë për Kosovën që t’i bindim ata (ndërkombëtarët) që ne kemi të drejtë me ekzistu. Ne kemi një kryeminstër që e ka kundërshtu Pakon e Ahtisaarit që tani po e mbrojmë për mos me u shkatërru”, ka thënë më tej Zulfaj.
Duke folur për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe, Zulfaj ka theksuar se Asociacioni ka vdekur dy herë. Sipas tij, një herë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese e herën tjetër me ardhjen e Kurtit në qeveri.
“Me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, Asociacioni ka vdekur. Pastaj ka vdekur edhe një herë, populli u sigurua për këtë duke e zgjedhur Albin Kurtin kryeministër”, ka thënë ai.