Drama e familjes Markja në Bulqizë/ Një mjekim i gabuar ia la bashkëshorten të paralizuar!

Dyshohet se një mjekim i gabuar i ka kushtuar rëndë 52-vjeçares Urime Markja nga fshati Miresh i Bulqizës.

Kryefamiljari Kujtimi tregon peripecitë me të cilat është përballur dy vitet e fundit për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore të bashkëshortes së tij.

Sipas Kujtimit, mjekët në Tiranë i kanë thënë që i është dhënë mjekim i gabuar, i cili ka shkaktuar pasoja të tjera. Urime Markja prej një viti është e paralizuar dhe ende nuk dihet se nga çfarë i ka ardhur.

I vetmi që kujdeset për të është bashkëshorti Kujtimi, i cili thotë se do të bënte gjithçka që bashkëshortja të rikthehej si më parë.

Në këtë gjendje që është, Urime Markja trajtohet vetëm me 11 mijë lekë të rinj si pension paaftësie, ndërsa Kujtimi nuk paguhet si kujdestar, megjithëse është ai që ja bën të gjitha shërbimet.

Por përtej kësaj, me lot në sy apeli i vetëm i Kujtimit është rikthimi si më parë i bashkëshortes, ndaj ai kërkon ndihmën e shtetit por edhe të atyre personave që kanë mundësi ekonomike për t’i bërë një trajtim të specializuar.

Familja Markja është me sytë nga shteti, organizatat jo-qeveritare dhe gjithë shqiptarët për ta ndihmuar në këtë situatë të vështirë me të cilën po përballet.