Specialja, ankohet gjykatësi Smith: Nuk kanë më kuptim redaktimet, të gjejmë zgjidhje për seancat private

Një debat rreth gati 1 orë e 30 minuta është zhvilluar dje në sallën e seancave në gjyqin kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjykatësit, prokuroria dhe avokatët kanë debatuar rreth shqetësimit rreth mbajtjes së seancave pothuajse në tërësi të mbyllura për publikun.

Teksa e ka nisur debatin për këtë, kryegjyqtari Charles Smith ka thënë se redaktimet e shumta dhe seancat private nuk kanë më asnjë kuptim.

“Ndonjëherë redaktimet janë të tepërta, ka fjali që janë shumë të vështira t’i lexojmë, të gjitha, e zezë, e zezë, duhet të shkojë në ‘e zezë’, ora kaq “e zezë “, nuk kanë asnjë kuptim”, ka thënë ai para prokurorisë.“Për mua kryesorja është që para se të marrin dëshmitarin tjetër për të dhënë dëshminë, të gjitha redaktimet të rishikohen dhe të shohim pastaj se sa seanca mund të kemi publike dhe sa private dhe kjo është një aspekt që duhet trajtuar”.

Gjyqi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqi ka nisur me 3 prill dhe deri me tash janë dëgjuar vetëm 10 dëshmitarë dhe ata pothuajse në tërësi në seanca private.

Kjo ka ngritur kritika të mëdha në publik. Specialja është kritikuar edhe më herët për mbylljen karshi publikut e mbrojtjes, pasi shumë nga provat e saja janë lënë të redaktuara.