Bërnabiq kërkon “ndihmë” nga BE për parandalim të arrestimit të serbëve në Kosovë

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, u kërkoi mbrëmë liderëve të Bashkimit Evropian “që të tregojnë se qëndrojnë pas parimit të sundimit të ligjit, pra respektimit të plotë të marrëveshjeve ndërkombëtare”, si dhe përfundimisht, zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Unë po ju kërkoj që të parandaloni arrestimin dhe ndalimin e njerëzve “të pafajshëm vetëm për shkak se janë serbë”, që të mos i nënshtrohen torturave vandale derisa janë në paraburgim dhe derisa as familjet e tyre dhe as përfaqësuesit e tyre ligjorë nuk mund t’i kontaktojnë ata”, ka thënë Bërnabiq, duke pretenduar se “një sjellje e tillë në tokën e kontinentit evropian nuk duhet të jetë e pranueshme në shekullin XXI”.Ajo u kërkoi “miqve evropianë” të ndihmojnë në ruajtjen e paqes në rajon.

“Unë po ju kërkoj, të dashur miq nga BE, të na ndihmoni të ruajmë paqen, sepse paqja është pasuria më e rëndësishme evropiane. Ju gjithmonë do të keni një bashkëbisedues “të besueshëm” në Beograd”, ka thënë ajo në pritjen zyrtare para fillimit të “Javës së Mundësive të BE-së” që e organizoi Delegacioni BE-së në Serbi.