‘E preferuara e ndërkombëtarëve’/ A po bëhet Vjosa Osmani çelësi për stabilitetin në veri?

Fjalimi për nevojën e koordinimit me Bashkimin Evropian; deklarimi se Kosova po punon në një draft të statutit të Asociacionit për Komunave me Shumicë Serbe; ligjërata në Gjermani se si duhet afrohen qëndrimet me ndërkombëtarët dhe takimi me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, janë në vazhdën e përpjekjeve të presidentes Vjosa Osmani brenda rolit të saj të ri si garantuese e tejkalimit të krizës në Veri të Kosovës.

Mirëpo sipas medias Albanian Post në Kosovë, Osmani është ofruar si garant për të zgjidhur çështjen në katër komunat veriore dhe kjo zgjidhje do të bëhet duke plotësuar tri kërkesat e komuniteti ndërkombëtar: largim i njësiteve speciale nga objektet komunale, zgjedhje të reja në Mitrovicë Veriore, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq dhe një draft statut për Asociacionin nga Qeveria e Kosovës.

Nëse analizojmë të gjitha deklaratat e Vjosa Osmanit kohëve të fundit, shohim se si presidente e Kosovës, përfaqësuese e politikës së jashtme të vendit, komandante supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe politikanja me aktualisht më së shumti vota në zgjedhjet e fundit, Osmani e ka pranuar rolin e garantuese për shtenjsonim dhe rikthim në rrugën e normalizimit.

Cili mund të jetë suksesi i Osmanit në këtë detyrë do të kuptohet gjatë kësaj jave, por ajo e ka një precedent të ngjashëm, kur kishte marrë situatën në dorë dhe tejkaluar ngërçin me  21 nëntor kur pritej që të fillonte aplikimi i masës për gjoba të veturave me targa ilegale “KM”.

Meqë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, nuk kishin gjetur dot gjuhë të përbashkët në takimin e gjatë në Bruksel, zgjidhja dukej se kishte takuar murin.

Kosova refuzonte të shtynte vendimin dhe nuk pati pranuar propozimin e BE-së.

Në momentin që supozohej fillimi i implementimit të gjobave dhe rreziku për shpërthim ishte rritur, si nga qielli kishte ardhur një cicërim në Twitter e Ambasadorit amerikan që shtronte kërkesë për Qeverinë e Kosovës edhe për një shtyrje 48 orëshe.

Shtyrja ishte kërkuar në orën 12:00 të natës.

Vetëm pak minuta më pas Kryeministri i Kosovës ishte përgjigjur po në Twitter se po e pranonte këtë kërkesë.

Një muaj më vonë nga kjo situatë, Vjosa Osmani, pati zbuluar se në fakt nuk ishte kërkesë amerikane shtyrja, por një fizkulturë që po ndodhte prapa dyerve të mbyllura.

Ishte vetë Kosova që kishte kërkuar nga Amerika që t’i kërkonte Kosovës shtyrje që më pas Kosova ta pranonte.

Pra, ishte presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, që i kishte kërkuar Ambasadorit amerikan,  Jeff Hovenier, që ky t’i kërkonte kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që të shtyhet vendimi për 48 orë.

“Pasi që dështoi arritja e marrëveshjes, atëherë unë kam telefonuar menjëherë ambasadorin amerikan për të kërkuar këtë 48 orësh”, tregonte Osmani gjatë një interviste në emisionin Rubikon në Klan Kosova.

Kërkesën, siç pati thënë, e kishte bërë “në një telefonatë me ambasadorin” duke “insistuar që në 48 orësh ta kemi një involvim shumë më të fuqishëm të SHBA-ve”.

“Ka pasur një diskutim të gjatë” tregonte Osmani dhe “pas këtij diskutimi shumë të gjatë ai ka marrë përsipër që këtë kërkesë ta përcjellë në SHBA dhe diku pas mesnatës është marrë akordimi nga SHBA për këtë 48 orësh”.

Sipas Osmanit e gjithë kjo po ndodhte pa dijeninë e kryeministrit dhe partnerit të saj politik, Albin Kurti.

Vetëm “pastaj kemi biseduar me kryeministrin njëkohësisht që ky të bëhet edhe një lloj pajtimi i Kosovës”, kishte sqaruar Osmani.

Një situatë e ngjashme është edhe tani, gjashtë muaj pas atij episodi, por me disa ndryshime.

Derisa për vendimin për targat Osmani paraprakisht s’kishte pasur ndonjë koment, apo mos pajtim publik, për marrëveshjen e arritur në Bruksel me 27 shkurt dhe Ohër me 18 mars, presidentja kishte folur negativisht në disa raste.

Përtej komplikimeve me zgjedhjet që bojkotuan serbët, aktualisht situata është në ngërç edhe për faktin se pika e radhës sipas sekuncimit të akordit në Ohër është prezantimi i një draft-statuti për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Pikërisht për këtë pikë Osmani kishte pasur shumë kritika.

Osmani – më pak në mediumet në Kosovë e shumë më shumë në ato ndërkombëtare – kishte kritikuar ashpër marrëveshjen e arritur në Bruksel dhe të përforcuar me aneks në Ohër.

Në një vizitë në Vjenë të Austrisë, në një ligjëratë dhe bashkëbisedim të organizuar nga Akademia Diplomatike e Vjenës, ajo kishte kritikuar veçanërisht atë që Kurti e quante si sukses të tij – “vetëmenaxhimin”, e komunitetit serb.

“S’e kemi dashur vetëmenaxhimin, s’ka qenë e duhur shtyrja e Kosovës në këtë drejtim”, pati deklaruar ajo, duke shtuar se “Kosova nuk e ka dashur nenin 7 në Marrëveshje. Por, në Amerikë thuhet se është më lehtë t’ia dredhosh dorën një shoku”, duke aluduar në presionin ndërkombëtar.

Por, jo vetëm në Vjenë.

Osmani, përtej nenit 7, e ka kritikuar marrëveshjen në tërësi edhe në një intervistë për The Sun në Britani të Madhe.

Ajo kishte deklaruar për gazetën britanike se është “absolutisht e zhgënjyer” me marrëveshjen e arritur nga Kurti me Serbinë.

Madje, kundërshtonte edhe argumentin kryesor të Kurtit se marrëveshja përmban njohje reciproke.

S’është eksplicite njohja”, pati deklaruar Osmani.

“Ne jemi absolutisht të zhgënjyer që njohja reciproke nuk përfshihet në mënyrë eksplicite në këtë marrëveshje, sepse kjo është zgjidhja e vetme që mund të çojë në paqe dhe stabilitet afatgjatë”, kishte thënë.

Gjithsesi, me bllokimin e situatës në Veri dhe tensionin e Kurtit me ndërkombëtarët, të cilët edhe kanë njoftuar për masa shtrënguese ndaj Kosovës, Osmani është ripozicionuar.

Ishte ajo – dhe jo Kurti – që u takua me presidentin serb Vuçiç në Moldavi.

Cili do jetë kontributi i saj në rolin e ri për largim nga kriza dhe vazhdim në normalizim kuptohet shtatë ditët e ardhshme, kur edhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, shkon në Uashington për konsultime me partnerët rreth hapave të ardhshëm, derisa Marrëveshja e reklamuar me pompozitet, e quajtur Marrëveshja Bazë, është në momentin e vetë më të ulët dhe ngjan pothuajse  e parealizueshme.