Kreu i Kishës Ortodokse Serbe për Rashkë dhe Prizren ka bërë një apel lidhur me Kosovën, duke mbështetur vendimin e Sinodit të Shenjtë të Kishës Ortodokse Serbe në maj të këtij viti, në të cilin thuhet se “Kosova dhe Metohia, me 1,500 objekte fetare ortodokse serbe, është një pjesë e patjetërsueshme e Serbisë, dhe se me ndarjen e Kosovës shumica e serbëve do të liheshin ‘në mëshirën dhe pamëshirën’ e shqiptarëve”.
“Ruajtja e kësaj pjese të vendit tonë nuk është çështje e ideologjisë kombëtare apo mitologjisë, për më tepër, as vetëm e territorit, por paraqet thelbin e vërtetë të qenies sonë kishtare-kombëtare dhe ekzistencës, që neve si popull të Zotit dhe Kishën e Krishtit na ruajti të gjallë ndër shekuj në këtë hapësirë”, thuhet në apel.
Më tej në apel, të cilin e transmeton “Beta”, thuhet se “ruajtja e Kosovës dhe Metohisë, si pjesë integrale e Serbisë, në përputhje me Kushtetutën dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së nuk do të thotë “konfrontim me botën’, por afirmimi i qëndrimit se pa të drejtat dhe liritë themelore të një populli, identitetit të tij, shpirtërores dhe kulturës, nuk mund të gjenet zgjidhje e qëndrueshme afatgjatë”, përcjell Telegrafi.
“Me ndarje, shkëmbim të territorit apo demarkim mes serbëve dhe shqiptarëve, shumica e serbëve në Kosovë dhe Metohi do të mbeteshin në mëshirën e atyre që deri më tani nuk treguan gatishmëri për të respektuar të drejtat tona”.
“Në një zhvillim të tillë të padëshirueshëm të ngjarjeve ekziston një rrezik i madh që të përballemi me përndjekje të ngjashme me atë të marsit 2004, ose që nën presion dhe terror të heshtur, të detyrohem në eksod”, thuhet në komunikatë.
Kisha Serbe për Rashkë dhe Prizren ka ftuar përfaqësuesit e Serbisë dhe bashkësisë ndërkombëtare që klerit të Kishës dhe popullit serb t’ua mundësojë jetën e qetë në Kosovë, si dhe ruajtjen e objekteve të shenjta në mënyrë që të vazhdohet kontinuiteti i ekzistencës së Kishës Ortodokse Serbe në “Kosovë dhe Metohi”.
“Ky apel nuk përbën ndërhyrje në politikë, por është një klithmë e madhe e atyre që, duke jetuar në Kosovë dhe Metohi, përpara Zotit dhe ndërgjegjes së tyre, kanë përgjegjësi ndaj popullit besimtar, me të cilin e bëjmë kishën të gjallë”, thuhet në deklaratën e Dioqezës së Rashkës dhe Prizrenit.