Dervish Maliqi i arrestuar e më pas i liruar nga policia serbe, u mbajtë në paraburgim për 48 orë në izolim në burgun e Prokupljes dhe Kurshumlisë, pa ngrënë e pa pirë asgjë.
Ai ka treguar në Info10 se gjatë së martës kur edhe u arrestua, ishte hera e dytë që po kalonte përmes Merdares dhe se asnjëherë s’kishte pasur problem për ta kaluar pikën kufitare me Serbinë përgjatë shtatë viteve të fundit që kishte udhëtuar me veturën e tij për në Gjermani.
Qëndrimi i tij në burgun e Prokupljes dhe më pas në atë të Kurshumilisë, për Maliqin ishte i vështirë, dhe se thotë se policia serbe s’kishte asnjë bazë ligjore për t’i ndaluar ata.
“Kurrfarë procedura s’kemi pasë. Kemi qëndru vetëm në izolim. S’na kanë dhanë rastin as për ndonjë pauzë ditore. Për gati 48 orë kemi qëndru në izolim. Pastaj na kanë dërgu në Prokuplje për shkak që s’ka vende thojshin në Kurshumli. Pastaj sot për seancën gjyqësore na kanë kthyer në Kurshumli.”, tregon tutje Maliqi.
Ai arrestimin e tij dhe të dhëndrrit, e ka quajtur politikë.
“Ditën e parë kur kemi shku në Kurshumli ku na mbajtën gati 5 orë, një polic është sjell shumë mirë, ka shku ka marrë bukë ekstra për ne dhe na ka sjell edhe ujë. I falenderohem atij, sepse është sjell mirë. Sa i përket në prokuplje, sjellja e policëve ka qenë ë mirë, e ushqimi s’ka qenë në nivel. Për dy ditë izolim, s’kemi ngrënë as s’kemi pirë.”, tha Maliqi në Info10.
Katër qytetarët e Kosovës të cilën u arretuan të martën nga policia serbe në pikën kufitare në Merdare, kishin për qëllimin kalimin nga Serbia në Gjermani.