Ish-kryeministër i Qeverisë së Kosovës në ekzil Bujar Bukoshi, në një intervistë për Gazetën Tema, ka alarmuar se “Veriu mund të kthehet në protektorat te OKB-së” nëse Kosova kthehet në vatër krize.
“Shikoni, një gjë duhet të jetë e qartë. Serbia u detyrua të tërhiqet nga Kosova nën praninë e forcës ndërkombëtare dhe nën premtimin për stabilitet. Nëse Kosova kthehet në vatër krize siç po kthehet, atëherë në veri të Kosovës vepron autoriteti i rezolutës 1244, dhe forcat ndërkombëtare rrezik mund t‘ia heqin nga duart Kosovës Veriun dhe i dalin zot ato forca”, tha Bukoshi.
Sipas tij, fakti që trupat e KFOR e kthyen mbrapsht një zyrtar të qeverisë së Kosovës në Veri pas trazirave është një sinjal se në Veri, “tani zot shtëpie janë forcat ndërkombëtare e jo Kosova”.
“Kështu kalojmë nga një shtet i pavarur që mund ta kontrollonim Veriun përmes veprimeve të mençura, kalojmë në një situatë kur nuk do kemi më të drejta as ta qeverisim e as të shkojmë aty pa leje të KFOR-it. Kjo do ishte goditja më e madhe që shteti i Kosovës do merrte deri më sot”.
“Nuk më interesojnë sanksionet e tjera. Kaq mjafton për të kuptuar çfarë po humbasim”.
Ai ka thënë se kërkesat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës duhet të merren seriozisht nga Qeveria e Kosovës, derisa ka shtuar se i beson “ultimatumit amerikan” për Kurtin për ta shtensionuar situatën në Veri.