Kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se qortimet nga SHBA Kosovës s’po i vijnë për herë të parë. Por, ai thotë se kjo s’është e mirë për Kosovën.
“Kjo s’është e mirë për ne. E pranojmë që është gjë e keqe për Kosovën”, tha ai pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, raporton Gazeta Express.
“Sa i përket deklaratës se Blinkenit nuk është hera e parë që është duke na ndodhur kjo. Po më kujtohet edhe para dy vieteve kur ishte ajo çështja e reciprocitetit, kur ne aplikuam me Serbinë, d.m.th hasem në një gjuhë të ashpër, në një qortim të ashpër”.
Konjufca tha se SHBA s’po i kupton ndoshta pozicionet e Kosovës.
“Gjithçka që duhet të bëjmë është ta bëjmë një dialog të hapur dhe të shtuar me të gjithë miqtë dhe partnerët tonë, që t’i argumentojmë më mirë pozicionet tona. Ndoshta pozicionet nuk po kuptohen drejt nga SHBA”.
Konjufca tha se dorëheqjet e kryetarëve në komunat veriore nuk erdhën për shkak të ndonjë dhune të Kosovës.
“Ne nuk kemi bërë kurrfarë dhune mbi kryetarët e komunave kur ata u dorëhoqen vitin e kaluar. Tash institucionet mbeten vakante dhe ato janë komuna të Republikës së Kosovës, janë pjesë e shtetit të Kosovës. Edhe institucionet komunale nuk banojnë në qiell ato, i përkasin një shteti, një infrastrukture të caktuar shtetërore. Shteti i Kosovës s’pati zgjidhje tjetër atje përveç se me i shpall zgjedhjet. Bile, pikërisht pas një dakordimi me SHBA-në që zgjedhjet shtyhen për pesë muaj. I dëgjuam dhe u shtyn pas pesë muaj. Kur u harxhuan ato, dy opsione i kishte Kosova: ose ta dëgjonte Vuçiqin ose të procedonte siç thoshte Kushtetuta. Dhe ne e zgjodhëm këtë versionin e dytë, natyrisht. Nuk vjen në shprehje për alternativa tjera dhe zgjedhjet u shpallën. Lista Serbe nuk mori pjesë në ato zgjedhje edhe përkundër thirrjes së SHBA-së. Ata nuk morën kurrfarë sanksioni për këtë gjë, kurrfarë qortimi serioz”.
Konjufca tha se janë të brengosur për situatën në Veri “si çdo qytetar”.
“Ne nuk duhet që ta humbim fokusin. Mendoj që kryefjala nuk është shqetësimi, kryefjala është aftësia jonë për t’i kryer detyrat tona që të garantojmë siguri dhe qetësi. Siç shihet atje krejt problemi po fillon dhe po përfundon me grupet e armatosura dhe të rrezikshme që po i rrezikojnë”.