Fermeri nga Krusha: Nuk po gjej punëtorë me pagë 420 euro

Imer Duraku është një fermer nga Krusha e Madhe, që kultivon kultura të ndryshme bujqësore: nga dredhëzat deri te specat e qepët.

Prodhimet e tij i shet me shumicë, por problemin e ka te gjetja e punëtorëve sezonalë. Ka ndodhur që shumë fruta t’i shkojnë dëm, sepse nuk ka pasur kush t’i vjelë.

Ai ka 16 hektarë tokë pjellore, por po vuan nga mungesa e punëtorëve.
“Dikurë kemi pasur problemin ku ta shesim mallin. Sot kërkesa kemi, vetëm a mund të prodhojmë. Mundësi për prodhim kemi, por kemi mungesë të punëtorëve”, tregon për Radio Evropa e Lirë Imer Duraku.

Në këtë fund pranverë është sezona e dredhëzave. Imeri thotë se i ka të mbjella me këtë frutë rreth dy hektarë.

Për vjeljen e tyre i duhen 40 punëtorë, por ai mezi i siguron 20 deri 30.

“Bujqësia është punë e vrazhdë, duket punë fizike. Njerëzit po lakmojnë punë më të lehta dhe po i largohen bujqësisë”, tregon fermeri.

Vitin e kaluar atij i kanë shkuar dëm një pjesë e prodhimit pasi nuk ka mundur të sigurojë punëtorë për vjeljen e dredhëzave.