Mos krijoni gogola, e kam parë me sytë e mi Edi Ramën si e mbështetë Kosovën

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka komentuar paraqitjen e kryeministrit Rama dhe presidentes Osmani në samitin SEECP, ku të dy liderët janë parë të distancuar nga njëri-tjetri, fotografi kjo që shkaktoi polemika të shumta dhe shumica vendosën në pikëpyetje marrëdhënien e Ramës dhe Osmanit.
Çitaku ka bërë thirrje që të mos krijojmë, siç thotë ajo, armiq të paqenë derisa ua ka kujtuar institucioneve të Kosovës ndihmën që Shqipëria dhe Edi Rama ka dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, shkruan Reporteri.net.

“Ne mund të mos pajtohemi me Kryeministrin Rama rreth 1 çështje, por pajtohemi për 99 tjera. Kam qenë vet dëshmitare e shumë situatave jo të lehta për Kosovën, dhe e kam parë me sytë e mi, edhe e kam dëgjuar me veshët e mi, mbështetjen që i jep Kryeministri Rama Kosovës. Dorën në zemër, shpesh edhe me më shumë elokuencë se ne vet”.
“Pastaj, është për keqardhje që sot, në ditën e çlirimit të Kosovës po duhet me u’a përkujtu disave ndihmën e jashtëzakonshme që e ka dhënë Shqipëria për lirinë dhe pavarësinë tonë”, ka shkruar Çitaku. /Reporteri.net