Ekziston një liqen i kristaltë në Shqipëri me veti të mrekullueshme për organizmin. Njihet me emrin “Liqeni i Zi. Ndodhet 4 km në jug-lindje të fshatit Lenie (Shënepremte) në lartësinë 1684 m mbi nivelin e detit. Është liqen me origjinë akullnajore. Ka ujë shumë të ftohtë, të pastër dhe të kthjelltë, me ngjyrë blu të thellë.
Ka klimë të pastër malore dhe bukuri të rrallë natyrore. 300 m larg tij ndodhet burimi i Liqenit të Zi që përmban ujë me veti kurative në saj të përmbajtjes së tij me mineralizim të lartë, dhe PH 7.5 – 8.39.
Po afron periudha e pikut të shfrytëzimit të këtij uji. 15 gushti deri 15 shtator qindra, në mos mijëra vetë, vijnë në këtë liqen për të ushtruar terapinë me ujë të ftohtë për shërimin e sëmundjeve. Dhe rezultatet duket se kanë qenë vërtet impresionuese. Aq sa tashmë në këtë liqen po vijnë dhjetëra turistë. Turistët shprehen se, burime të tilla që zotërojnë cilësi të veçanta për shëndetin, kanë hasur në Lurisia, Merano, Montekatini, (Itali) Baden- Baden (Gjermani), Lukon (Francë). Por, rasti i Gramshit tejkalon çdo parashikim sipas tyre. Sepse, uji i liqenit të Zi, në Lenie të Gramshit, jo vetëm që përdoret për banjë, por edhe është ujë i shkëlqyer për tu pirë.
Uji i Ftohtë kurativ është unikal në vendin tonë.
Sëmundjet që mjekohen në pusin e Ujit të Ftohtë:
Në gjuhën e popullit flitet se në Ujin e Ftohtë kanë ardhur në kuaj e kanë bërë banjë njerëz të sëmurë e të bllokuar nga reumatizmi dhe janë kthyer me këmbët e tyre. E studiuar më gjerë, indikacionet janë për shumë sëmundje. Në Ujin e Ftohtë shërohen: – Sëmundjet reumatizmale, gonartroza dhe koksartrosi, dy sëmundje bllokuese të gjunjëve dhe çapokut, të përhapura shumë sot në botë, me invaliditet të lartë e kosto të madhe; – artriti rheumatoid, që kap edhe moshën e re (që prek indin lidhor, kryesisht kolagjenin); – sëmundja e podagres, si sëmundje reumatike dhe metabolike; – sëmundje të kolonës vertebrale, palcës së kurrizit, të kyçeve të supit, bërylit, këmbëve, muskujve, tendineve, të nervave, neuromuskulare, të organeve genitale e sterilitetit.
Mbi banjot në pusin e Ujit të Ftohtë
Në malin e Shënepremtes, në skajin lindor të fushës të Liqenit të Zi, ndodhet pusi i Ujit të Ftohtë, ku bëjnë banjo të sëmurët. Në vijën Liqeni i Zi – Pusi – Qafë Mushkë, dalin: kroi i liqenit, pusi me burime në basifondin (fundin) e tij, kroi i Sharlorthit dhe kroi i Pishës pranë Qafë – Mushkës. Pusi ka dhe një emër të dytë, “Pusi i Grave”, ndoshta për efektin e veçantë në problemet e sterilitetit femëror apo sëmundjeve gjinekologjike, ndonëse më shumë i nënshtrohen banjës të sëmurë me sëmundje reumatizmale. Banjot bëhen në periudhën 1 gusht – 15 shtator. Për 3 ditë, bëhen 3 banja. Pusi i Ujit Ftohtë ruhet në gjendje natyrale, i rrethuar me gurë, ku uji qarkullon vazhdueshëm, me formë katrore, i gjatë 2 m dhe mbulon trupin e zhytur.
Tipat e banjos janë: – Banjot e ftohta për krahët (përdoren për dhimbjet e krahëve, çrregullimet e zemrës, pagjumësinë, etj.); – banjot e këmbëve (rekomandohet për dhimbjet e këmbëve, në epistaksis, çrregullime të vesikës urinare); – banjo ndenjur (ndikon në sëmundjet e barkut e të zorrës së trashë); – banjo me gjysmën e trupit (ndikon në sëmundjet e barkut, sëmundjet gjinekologjike, vesikës); – banjo i gjithë trupi. (I sëmuri ulet në një nga gurët e bordurës, fut këmbët, lag krahët, regionin para zemrës dhe shpinën për ambientin, pas kësaj fillon rrëshqitjen e ngadalshme në ujin e banjos, deri sa uji të arrijë pjesën e sipërme të qafës. Gjatë banjës nuk lëvizet.) Dy momente janë më të vështirat.
Në 3 minutat e para të banjës, i sëmuri, krahas të ftohtit të madh, ndjen dhe dhimbje në anësi. Por bindja se do të shërohet, si të tjerë të sëmurë para tij dhe siguria e kujdestarëve që qëndrojnë tek koka, e bëjnë që ta përballojë këtë gjë. Në vazhdim, banja vepron në organizëm, i sëmuri anestezohet (mpihet), por vëzhgimi është i rreptë, mbahet me muhabet për të parë koshiencën dhe, rreth minutës së 15-të ngrihet ose e detyrojnë të ngrihet, sepse fillon periudha e dytë e rrezikshme, ndoshta rrezikohet për veprim goditje në zemër dhe në tru. Rregullat që duhen zbatuar, janë të njëjta si te personat që drejtonin banjon në pusin Uji Ftohtë dhe në doktrinën e Kneip.
I sëmuri hyn në banjo me veshje të brendshme të pambukta, kur del nga banja nuk i fshin pikat e ujit, nuk ngrohet pranë zjarrit, por bën pak vrap nëpër shesh dhe shtrihet i shtruar dhe mbuluar me një rrobe të leshtë, tip velenxe, thekore. Zakonisht e zë gjumi dhe ngrihet i lehtësuar. Gjatë kohës së banjove, rekomandohet diete laktovegjetariane (jo mish). Sipas temperaturës e ujit të banjove, këto klasifikohen: 0-5 gradë, banjo e ngrirë; 5-10 gradë, banjo shumë e ftohtë; 10-15 gradë banjo e ftohtë, 15-22 gradë, banjo e freskët.
Për mjekim në banjo, mbikëqyrja e mjekut është e domosdoshme, sidomos për persona me sëmundje të zemrës, tensionit. Mjekimi empirik në shumë raste sjell pasoja për shëndetin e të sëmurit. Banja, sipas literaturës, fillohet me temperaturën e ujit 15 ose 18 gradë. Kohëzgjatja e aplikimeve me procedura të ftohta nëpër institucione mjekësore, rekomandohet 6 deri 20 sekonda, ndërsa banjot në pusin e Ujit të Ftohtë zgjasin rreth 15 minuta, ndaj është e domosdoshme që çdo person i cili shkon atje, duhet të vizitohet të paktën nga zemra e tensioni para banjës dhe të jetë nën vëzhgimin e mjekut.
Ujërat radioaktive dhe infrastruktura
Ujërat e liqenit të zi përmbajnë radon, elementë radioaktivë etj. Sipas ing. Bardhyl Zaimit, janë bërë matjet për radioaktivitet direkt tek pusi dhe është gjetur radium, cesium dhe stroncium. Këto lloje ujëra kanë indikacione mbi artritizmin, reumatizmin, nevritet, sëmundjet metabolike (uricemin, obositetin), sëmundjet endrokrine si insuficiencën e vezoreve, të tiroides, gjëndrave suprarenale, në sëmundje gjinekologjike e në veçanti në sterilitetin femëror, sëmundjet nervore, të lëkurës. Të tilla stacione termale ndodhen në Lurisia, Merano, Montekatini, (Itali) Baden- Baden (Gjermani), Lukon (Francë).
Me plotësimin e studimeve, uji i ftohtë i Shënepremtes do të marrë vlera të tjera, sepse është i vetmi në llojin e vet dhe i një rëndësie të veçantë. Problem mbetet infrastruktura rrugore për të mbërritur në Liqenin e mrekullive. Rruga mund të ëprshkohet me fouristrada apo mjete me aks të lartë. Për çdo vit aty ngrihen kampingje dhe nga dita në ditë liqeni kurativ po frekuentohet gjithnjë e më shumë. Bashkia Gramsh ka në projekt asfaltimin e rrugës. Por për finalizimin e këtij projekti nevojitet fonde të mëdha. Aktualisht ky institucion ndodhet në kërkim të donatorëve. Bashkia Gramsh synon ta kthejë liqenin e Zi në një vend të rëndësishëm të turizmit kurativ.
Mekanizmi i veprimit të banjove
Hidroterapia elementare konsiston në banjo me ujë të thjeshtë, banjo të përgjithshme dhe lokale. Procedura më të komplikuara të hidroterapisë kombinohen me veprimin e lëndëve të ndryshme kimike mbi organizmin. Kjo vlen veçanërisht për hidroterapinë në stacione balneare. Në këto stacione, bëhet mjekim me ujë mineral, i cili del prej burimit me përbërje fizike dhe kimike të caktuar. Kjo përbërje mund të rregullohet dhe artificialisht në instalime të veçanta hidroterapeutike. Hidroterapia ka mbi organizëm influencë termike, mekanike dhe kimike. Efekti termik është i përbashkët për të gjitha procedurat hidroterapeutike.
Të ftohta quhen procedurat me temperaturë nën 16 gradë. Proçedurat e ftohta shtojnë veprimtarinë simpatike në organe, ndërsa procedurat e ngrohta shtojnë veprimtarinë vagale. Rëndësi të madhe ka faktori termik, vazat e lëkurës ngushtohen nën influencën e të ftohtit. Midis vazove të lëkurës dhe vazove të organeve të brendshme ekzistojnë raporte të caktuara. Në procedurat e ftohta, veprimtaria e zemrës tonifikohet, presioni i gjakut shtohet. Faktori termik, nuk ka dyshim, luan një rol të rëndësishëm kur përdoren ujëra natyrale që përmbajnë lëndë të ndryshme kimike, radioaktive, alkaline.
Në terapinë termale luan rol edhe klima, lartësia, ambienti i banjës, asistenca mjekësore, etj. Ndërmjet faktorëve mekanikë të veprimit të banjos, luan rol forca e gravitetit të organizmit në banjo. Trupi i nënshtrohet humbjes së peshës, që ka konsekuencë të madhe në lëvizje e anësive. Nëse uji mineral ka koncentrim të lartë kripërash, arrin të notojë trupin në ujë. Në indet e trupit që i nënshtrohen me intensitet janë: lëkura, indi konjuktiv, arteriet, venat dhe pareti i barkut. Sasia e gjakut që hidhet nga zemra në aortë shtohet 25 %. Veprimi termik ndodh në 2 mënyra: ndërmjet një stimulimi direkt mbi nervat dhe vazat e gjakut e nëpërmjet termoreceptoreve. Nga veprimi i të ftohtit, lirohen substanca aktive. Ndodhin ndryshime në lëvizjen e fluksit të gjakut.
Ndodh stimulacion i proceseve të metabolizmit, rritje e alkalinitetit dhe rritje e eksitabilitetit neuro-muskular. Këto spostime të vogla të ekuilibrit acido-bazik janë të rëndësishme, sepse stimulojnë të tjera procese, bile gjendrat me sekrecion të brendshëm. Veprimi kimik ka të bëjë me absorbimin e lëndëve aktive nga uji mineral nëpërmjet lëkurës në organizëm e lëndëve aktive nga uji mineral nëpërmjet lëkurës në organizëm në kurat balneare. Në banjot radioaktive njihet veprimi i radiumit (radon).
Rëndësi të veçantë ka shkëmbimi nëpërmjet lëkurës në banjo i joneve (atomeve me ngarkesë elektrike) me ngarkesë të kundërt (jone pozitive ose katone, jone negative ose anione). Ky shkëmbim midis organizimit dhe ujit të banjos paraqet fenomenin më interesant të balneoterapisë.
Ky bën të ndryshojë bilanci mineral i organizmit, reaktiviteti i lëkurës dhe i gjithë organeve të brendshme. Shkëmbimet në reaksionet e organizmit, shkaktuar nga trasmineralizimi, spostimi i ekuilibrit acido-bazik, kanë influencë mbi proceset hormonalë dhe neurovegetativë, e në analizë të fundit bëjnë desensibilizim dhe një ekuilibër të ri të funksioneve organike. Fillimi i këtij ekuilibri të ri konstatohet në shumicën e të sëmurëve që bëjnë kurën e hidroterapisë.