Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimeve të gjata në Ohër njoftoi se nuk kanë nënshkruar asgjë, por se kanë arritur “njëfarë marrëveshje”.
Në një deklarim para mediave, Vuçiqi u shpreh i lumtur për këtë, ndërsa ka thënë se për Serbinë është shumë me rëndësi formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
“Kemi arritur njëfarë marrëveshje. Unë jam i lumtur për këtë. Por kjo nuk është e tëra”, tha ai pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, transmeton Telegrafi.
Në këtë takim që u ndërmjetësua nga zyrtarë të Bashkimit Evropian, u bisedua për zbatimin e një propozimi të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Duke iu drejtuar gazetarëve, ai tha se nuk ka nënshkruar asgjë.
“Këto disa pika për të cilat kemi rënë dakord, do të jenë pjesë e kornizës së negociatave për të dyja palët, si për Beogradin, ashtu edhe për Prishtinën. Këshilli Evropian do të marrë një vendim që kjo të bëhet pjesë e vendimit të negociuar. Këshilli Evropian do të vlerësojë se sa është bërë nga plani i zbatimit”, tha presidenti serb.
“Për ne është shumë e rëndësishme që formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe [në Kosovë] është vendosur si detyrim me prioritet dhe atë në përputhje me marrëveshjet e arritura më parë, në kuadër të dialogut. Më duhet të them se jam shumë i kënaqur për këtë”.
Sipas tij, fillimisht do të formohet një komision i përbashkët monitorimi që do të raportojë pas 30 ditësh, e që, sipas tij, do të nisë punën me Asociacionin e pastaj me personat e pagjetur.
Vuçiq tutje u shpreh se çështja e Asociacionit është e nënshkruar dhe se “kjo duhet të realizohet”.
“Nuk mund të zgjedhësh atë që pëlqen, dhe të marrësh atë që të pëlqen. Është dokument i nënshkruar. Ju e keni nënshkruar, mu për këtë ju duhet ta realizoni. Është një rregull shumë konkret”, tha ai.
Vuçiq po ashtu tha se do t’i njoftojë qytetarët e Serbisë për gjithçka që ka ndodhur dhe do t’ua shpjegojë “atë që i pret”. /Telegrafi/