Armenët që nuk e njohin Kosovën takohen me Gërvallën, flitet për perspektivat e bashkëpunimit

Ministri i Punëve të Jashtme të Armenisë, Ararat Mirzoyan, ka zhvilluar të dielën një takim me ministren e Punëve të Jashtme dhe zëvendëskryeministren e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Munih, njofton Ministria e Jashtme e Armenisë.

Palët shkëmbyen mendime për perspektivat e bashkëpunimit në platformat ndërkombëtare.

U trajtuan gjithashtu çështjet e sigurisë dhe stabilitetit rajonal.

Gjithashtu, Mirzoyan e informoi bashkëbiseduesin e tij për zhvillimet e fundit në procesin e normalizimit të marrëdhënieve Armeni-Azerbajxhan, si dhe pasojat e krizës humanitare të krijuar në Nagorno-Karabakh si rezultat i bllokimit të paligjshëm të korridorit të Laçinit nga Azerbajxhani.

Gervalla-Schwarz nga ana e saj ka reflektuar mbi situatën aktuale në Ballkanin Perëndimor, shkruhet në njoftimin e një gazete armene.