Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, vlerësoi se plani franko-gjerman që ndryshe po quhet edhe si “plani evropian”, e ndihmon Kosovën dhe Serbinë në rrugëtimin e tyre për në Bashkimin Evropian.
Madje, sipas Halitit, presioni i Bashkësisë Ndërkombëtare do ta shpejtojë integrimin e tyre në BE.
“Ky plani shtesë, është një plan i cili rihap perspektivën e të dyja palëve që të gjejnë rrugëtimin e tyre për në Bashkimin Evropian. I hapet perspektiva Kosovës përmes marrëveshjeve të Brukselit që të zbatohen marrëveshjet që kanë të bëjnë me mospengimin nga Serbia për integrimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Hapat e Kosovës në të kaluarën dhe sot presioni pozitiv i Bashkësisë Ndërkombëtare, është i tillë që gradualisht po ia mundëson edhe Kosovës edhe Serbisë, por edhe vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor, integrimin më të shpejtë në Bashkimin Evropian”, deklaroi Haliti në emisionin “Ditari” në Tëvë1.
I pyetur se a beson që propozimi franko-gjerman mund të sjellë marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë, Haliti tha se më shumë u beson deklaratave të përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian.
“Ata nuk po vijnë për të na mashtruar. Ata janë të angazhuar që të na ndihmojnë të dy palëve, e në këtë rast futen edhe shtatë shtete tjera që janë shtete të Ballkanit Perëndimor”, tha ai.
Derisa shtoi se tanimë është domosdoshmëri për Kosovën dhe Serbinë që të gjejnë një rrugë e cila i dërgon deri te një marrëveshje e pranueshme për të dyja palët.