Ndryshimi drastik i Vuçiqit, prej “nuk dorëzohemi” në “do të izolohemi” nëse Serbia s’e pranon planin franko-gjerman

Presidenti i Serbisë, Aleksnadar Vuçiq, papritur lajmëroi se Serbia është e gatshme të pranojë propozimin franko-gjerman, anipse me muaj të tërë thoshte se ka refuzuar madje ta prek me dorë atë dokument.

Paralelisht me këto ndryshime të disponimit të tij ndaj propozimit të dy shteteve më të fuqishme të BE’së, edhe mesazhet që ua dërgoi votuesve të tij ndërruan – në një periudhë të shkurtër ai shkoi prej “dorëzimi nuk është opsion” në “na pret izolimi dhe sanksionet” nëse refuzohet plani franko-gjerman, shkruan media serbe “Nova.rs”.

Retorika e Vuçiqit kur vjen puna te Kosova është mjaft konfuze, prej “nuk e dorëzojmë Kosovën” në “nuk kemi asgjë në Kosovë sot” e deri te “edhe një metër nëse e fitojmë në Kosovë mjafton”.

Kohëve të fundit diskursi i tij ndaj Kosovës ka qenë më i ashpri, veçanërisht në kohën e barrikadave në fund të vitit të kaluar.

Sidoqoftë, u zmbraps shpejt. Serbëve u kërkoi të tërhiqen nga barrikadat, ndërsa në javën e kaluar në takim me “Pesëshen e Madhe” diuplomatike, ai tha se është i gatshëm të pranojë planin franko-gjerman.

“Erdhën ‘pesëshja’ dhe në atë takim fjalia e dytë që më komunikuan ishte ‘duhet ta pranoni këtë plan dhe nëse nuk e pranoni, sepse ne besojmë se duhet pranuar, do të përballeni me ndërprerjen e procesi i integrimit evropian, tërheqje të investimeve, masa gjithëpërfshirëse në kuptimin politik dhe ekonomik që do t’i shkaktojnë dëme të mëdha Serbisë”, tha Vuçiq në fjalimin e tij.

Situatën e tij e artikuloi si ose sanksione ose mospengim të anëtarësimit të Kosovës në OKB.

Siç vazhdon të tregojë media serbe “Nova” paralelisht me ndërrimin e diskursit të Vuçiqit, edhe analistët të lidhur me partinë e tij kanë filluar të ndërrojnë retorikën nëpër kanale televizive.