Çmenden mediumet serbe: Lobistët shqiptarë përgatitën pritje armiqësore për Vuçiqin

Disa mediume serbe në ballinat e tyre të mërkurën kanë publikuar lajme se si “lobistët shqiptarë” kanë vendosur “flamuj provokativë” në një hotel në Davos të Zvicrës, për t’i bërë pritje armiqësore presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“E poshtër! Shqipëtarët kanë përgatitur një pritje armiqësore për Vuçiqin në Davos! Forcat e Sigurisë: Lobi i tyre e ka përgatitur këtë prej kohësh!” – ka shkruar “Kurir”.

“Skandal në Davos: Flamujt e ‘Shqipërisë së Madhe’ dhe të ashtuquajturës Kosovë janë vendosur përballë hotelit ku po qëndron presidenti i Serbisë”, shkruan “Novosti”.

Gazeta “Kuriur” ka marrë edhe “ekspertë serbë”, të cilët thonë se janë të bindur se shqiptarët e kanë përgatitur më herët këtë.

Luban Karan, një nënkolonel i Ushtrisë së Serbisë që tashmë është i pensionuar, thotë se “aksioni ishte planifikuar nga lobi shqiptar, që ndihet në Zvicër si në shtëpi të veten”.

“Diçka e tillë nuk mund të bëhet brenda natës”, tha Karan për “Kurir”.

Vuçiqi gjendet në Davos për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror. Në Davos është edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.