Feros nuk i ndahet gazepi, përfundon sërish në paraburgim

Reperi kosovar Feronit Shabani nga Gjilani, i njohur si Fero, sërish ka përfunduar prapa grilave. Ai nuk e ka sefte këtë punë, pasi shpeshherë është futur në telashe me shtetin. I njohur për shumë vepra të cilat bien ndesh me ligjin, ndër vite nuk kanë munguar incidentet që i kanë kushtuar. Kështu ka ndodhur me një rast të gjuajtjes me a.rmë në fund të vitit të kaluar, për të cilin qëndroi në arrati për gati një muaj, derisa para dy ditësh u kap nga Policia, raporton Gazeta Sinjali.

Fero u kap në pikën kufitare te Dheu i bardhë dhe më pas u shqoërua në stacion policor, ku me urdhër të Prokurorit të Shtetit u dërgua në ndalim për 48 orë dhe brenda afatit ligjor u kërkuar që ndaj tij të caktohet masa e sigurisë.

Sinjali mëson se gjatë ditës së sotme, reperi doli përballë gjyqtarit të procedurës paraprake, i cili aprovoi kërkesën e Prokurorisë dhe ia caktoi masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.

Fero do të hetohet për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” pasi dyshohet se më 28 dhjetor kishte gjuajtur me armë në lagjen Bojanina në Gjilan.

Rasti ishte denoncuar nga viktima, që pati raportuar se Fero kishte shkuar deri te rruga “Urim Mehmeti” me veturën e tij nga e cila kishte dalë më pas dhe është dëgjuar duke thënë “ku janë ata”. Më pas, bazuar në dëshminë e viktimës, reperi ka nxjerrë armën me të cilën ka shtënë një herë dhe më pas është zhdukur.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.