Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një intervistë për gazetën zvicerane “Blick” ka folur për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe afatin që ai kishte dhënë për një marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë deri në pranverë të këtij viti.
Kurti ka thënë se është optimist se një marrëveshje mund të arrihet brenda pak muajsh dhe se tek pala kosovare ekziston vullneti për këtë.
“Unë jam optimist se një marrëveshje mund të arrihet brenda pak muajsh nëse ekziston vullneti për të arritur një marrëveshje – dhe mbështetja e Perëndimit demokratik, pra BE-së, NATO-s, SHBA-së dhe Britanisë së Madhe. Unë kam shprehur vullnetin tim për ta bërë këtë. Por për një marrëveshje duhen dy palë. Për të pasur paqe afatgjatë, siguri dhe stabilitet rajonal, Serbia duhet të distancohet dy herë: nga e kaluara e Millosheviqit dhe tani nga Putini. Sepse Serbia po i afrohet gjithnjë e më shumë Rusisë. Putin dëshiron të nxisë konflikt në Kosovë”, ka thënë Kurti.
Por, për këtë, Kurti ka thënë se Serbia, duhet të distancohet nga Putini, i cili kryeministri thotë se ka synim të nxisë konflikt në Kosovë.
“Unë jam i kujdesshëm, por nuk kam frikë kurrë. Unë jam vigjilent. Putini është i fiksuar pas vendit tonë. Ai ishte i kënaqur për mungesën e suksesit të ndërhyrjeve perëndimore në Irak dhe Afganistan. Atë e zemëron dhe e nervozon fakti që kanë pasur sukses në Kosovë”, u shpreh Kurti në këtë intervistë.