Lumir Abdixhiku i bëri një pyetje kryeministrit Kurti, nga Qeveria e deputetë të VV-së e kritikojnë ashpër kreun e LDK-së

“E sfidoj Kurtin që të dalë dhe të tregojë publikisht se a ka njohje ‘de-jure’ brenda planit franko-gjerman dhe a do të jetë kjo marrëveshje finale me Serbinë”. Kjo pyetje e shtruar nga kreytari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka acaruar jo pak bashkëpartiakët e kryeministrit Albin Kurti.

Tutje, lideri i LDK-së tha se Kosovës i duhet një marrëveshje finale me Serbinë, e cila në qendër e ka njohjen reciproke mes dy vendeve.

“Asnjë plan që s’është marrëveshje finale dhe që nuk e ka njohjen në të nuk është i mirë për Kosovën. Kaq mund të them, nuk e kam dokumentin në tavolinë, s’kam punuar me atë dokument dhe nuk kam mundur të shoh më gjatë. LDK nuk është pjesë e këtij procesi, por pozicioni i LDK-së është se marrëveshja me Serbinë duhet të jetë finale dhe duhet të ketë njohjen në të. Çdo çështje tjetër është dëm i pariparueshëm për vendin tonë”, deklaroi Abdixhiku për KP, për planin franko-gjerman.

Ndaj këtyre deklarimeve të kreut të LDK-së kanë reaguar dy mbështetës të kryeministrit, njëri nga pozita qeveritare dhe tjetri nga pozita e ligjvënësit, shkruan Reporteri.net.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, e ka quajtur të dëmshme deklaratën e Abdixhikut.

“Një kryetar partie duhet të jetë i kujdesshëm kur elaboron propozime që janë në diskutim fillestar, sepse me vetëdije do i shkaktojë vendit të tij dëm në fazën e ardhshëm të negocimit”, ka shkruar ai në Facebook.

Ndaj deklaratës së Abdixhikut ka reaguar edhe deputetja e VV-së, Fitore Pacolli, e cila përmes një shkrimi në Facebook ka thënë se kryetari i LDK-së e di nëse njohja ‘de jure’ është në planin franko-gjerman.

“Pyetje gjithsesi e paarsyeshme. Kur Lumir Abdixhiku ka qenë në Zyren e Kryeministrit për takim me Kryeministrin Kurti, aty e ka lexuar propozimin evropian (apo franko-gjerman siç e quan ai), andaj vetë Abdixhiku le të tregojë nëse ka aty njohje ‘de jure’!? Natyrisht, para se të jetë pyetje e paarsyeshme kjo po që është një sjellje e papërgjegjshme, kur ende s’kanë filluar bisedimet”, ka shkruar Pacolli.