Vuçiq: Heqja e barrikadave do të nisë mëngjesin e së enjtes

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova tha heqja e barrikadave do të nisë mëngjesin e së enjtes.

“Për 24 orë apo 48 orë do të hiqen barrikadat”, tha ai.

Ai tha paraprakisht, se janë dhënë garanci se kërkesat e tyre për heqjen e barrikadave do të plotësohen.

Vuçiq, mbrëmjen e 28 dhjetorit në kazermën e Ushtrisë Serbe në Rashkë, afër kufirit me Kosovën, nisi bisedimet me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova për heqjen e barrikadave.
Në takim, ai tha se Dejan Pantiqi ka mbërritur në shtëpi dhe se kjo është një “fitore simbolike”.

Arrestimi i ish-policit serb, në të cilin Kosova dyshon se ka sulmuar anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka qenë arsyeja e barrikadave që përfaqësuesit serbë në veri të Kosovës po mbajnë që nga 10 dhjetori.

Lirimi i tij është një nga kushtet për heqjen e bllokadave dhe më 28 dhjetor autoritetet në Kosovë ndryshuan masën e sigurisë, nga paraburgimi në arrest shtëpiak.

Vuçiq tha se kërkesa e tyre e dytë është që “njerëzit që ishin në barrikada të mos ndiqen penalisht”.

“Këtë e kemi të shkruar në letër, padyshim”, theksoi ai.

Duke folur për kërkesën e serbëve për të mos lejuar hyrjen e forcave speciale të Kosovës në veri, ai përmendi deklaratën e misionit të NATO-s (KFOR) të datës 28 dhjetor.

“Ne kemi një dokument të posaçëm që i jep të drejta edhe popullit serb në veri të Kosovës edhe shtetit të Serbisë, por gjithashtu i imponon KFOR-it obligim që të parandalojë hyrjen e forcave të sigurisë së Kosovës në veri për herë të parë”, tha ai.

Deri më tani Serbia ka qenë zëshëm kundër dërgimit të njësive speciale të Policisë së Kosovës në veri, duke thënë se kjo është në kundërshtim me marrëveshjet ndërkombëtare. Megjithatë, një marrëveshje për një gjë të tillë nuk është arritur kurrë.

Kosova ka marrëveshje me NATO-n që Forcat e Sigurisë së Kosovës të mos dërgohen në veri pa pëlqimin e komandantit të KFOR-it dhe kjo nuk ka qenë çështje e diskutimit.

Para nisjes së takimit, presidenti i Serbisë tha se do të “pranojë çdo vendim” të serbëve nga Kosova lidhur nga barrikadat në veri.

Ai tha se pret që serbët “të vijnë me kërkesa për të dhe për Serbinë”, dhe shtoi se ata nuk i besojnë as Bashkimit Evropian dhe as SHBA-së, e më së paku kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, tregoi më herët se Vuçiqi u ka kërkuar serbëve në veri të Kosovës që të tërhiqen nga barrikadat.

Ai tha se kjo kërkesë u bë pas deklaratës së lëshuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian lidhur me situatën në veri të Kosovës./REL/