EULEX-i mbrëmë për herë të dytë i bëri kontrolle mjekësore Dejan Pantiqit

Shefi i EULEX-it në Kosovë, Lars-Gunnar Wigemark ka njoftuar se mbrëmë iu është ofruar ekzaminimi mjekësor, ish-zyrtarit policor Dejan Pantiq.
Përmes një shkrimi në Twitter, Wigemark bëri të ditur se ky është kontrolli i dytë mjekësor që i është bërë Pantiqit.

“Me kërkesë të autoriteteve përgjegjëse të Kosovës, një ekip mjekësor i EULEX-it dje në mbrëmje ekzaminoi z. D.P., i cili është ndaluar nga Policia e Kosovës. Ky është ekzaminimi i dytë mjekësor i z. D.P., kryer nga një ekip mjekësor i EULEX-it. E para u zhvillua një javë më parë”, shkroi Wigemark në Twitter.

Dejan Pantiq ndodhet në paraburgim për 30 ditë dhe u arrestua nën dyshimet se ka organizuar sulmin kundër zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.

Për të kundërshtuar arrestimin e tij, grupe të qytetarëve serbë në veri ngritën barrikada qysh më 10 dhjetor dhe tani po bëhet dita e 16-të që nga bllokimi i vendit.

Pantiq akuzohet për kryerjen e veprave terroriste dhe sulm kundër rendit kushtetues./Lajmi.net/