Në orët e hershme të mëngjesit të ditës së sotme, autobusi i kompanisë së udhëtimeve, Meti-Comerc gjatë rrugës për në Shqipëri, i kanë dalë nga vendi dy nga katër gomat derisa autobusi ishte në lëvizje, raporton Gazeta Sinjali.
Rastin për Sinjalin e ka konfirmuar pronari i kompanisë, Zenel Musa.
Musa, pronar i kompanisë së udhëtimeve Meti-Comerc rrëfeu se si ka ndodhur rasti.
Ai tha se autobusi gjatë kohës kur ishte në lëvizje, ka ndodhur një problem teknik tek autobusi ku butonat shtrëngues të gomës janë shliruar dhe ka shkaktuar që gomat të dalin nga vendi.
“Burmet e rrotës janë këputë edhe qajo. Ja qitëm burmet e reja se janë këputë, tash krejt është në rregull, burmet i ndërruam, mjeshtrit këtu i kam. Udhëtarët janë mirë. Autobusin tjetër e kemi sjellë, nuk ka vonu shumë për 30 minuta ka ardhë edhe i ka nis udhëtarët për në Tiranë.
Autobusi as në 70 kilometra në orë nuk ka qenë. Kur janë këputë burmet, shoferi e ka skaju autobusin, s’ka pasë çka bën më tepër”, tha Musa.
Musa shtoi se do të dorëzojë denoncim ndaj policëve për shkak të sjelljes arrogante.
“Policët do t’i denoncoj. Kanë piskat, a dinë çka kanë bërë policët. Shumë sjellje arrogante, kam me denoncu njërin prej tyre. Ajo është normale, kjo ndodh, në rrugë këputen burmet e rrotës se hekur është”, përfundoi Musa.
Sinjali ka kontakuar edhe Policinë e Kosovës për rajonin e Gjakovës mirëpo deri në momentin e publikimit të lajmit, nuk kanë qenë të qasshëm.