Momenti kur dogana gjën parregullsi në cilësi të arit dhe në argjentari gjysëm milioni (VIDEO)

Mjafton një inspektim që një biznes i arit, të zhveshët plotësisht për shkak të parregullsive.

Për ta argumentuar këtë gjendje, ekipi i n’ Shënjestër ka marrë pjesë në një aksion të zhvilluar nga Inspektorati i Tregut në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, në qytetin e Prizrenit.

Pronari i subjektit afarist të përzgjedhur deklaron para autoriteteve se ka mbi 12 kg sasi të metaleve të çmuara, pjesa më e madhe ari.

Prej tyre, mbi 11 kg thotë të jenë të kontrolluar në Agjencinë e Metrologjisë dhe për rrjedhojë edhe vulosur.

Megjithatë, kontrolla e argumenton të kundërtën.

Pas disa orësh kontroll unazë për unazë, rreth për rreth e qafore për qafore, lokalit nuk i mbesin as 1 kg sasi e arit.

Kjo kuptohet pasi produktet nuk përmbajnë hartën e shtetit, që është vulë që tregon se produkti e ka cilësinë e kërkuar.

Si përfundim, gjithë sasia e arit i vendoset në thasë.

Inspektori i Tregut, Afrim Fana, tregon se mos dërgimi i arit për vulosje rrit dyshimet se nuk e ka shkallën e pastërtisë së kërkuar.

“Kjo nënkupton se të gjithë ne po padyshim dhe konsumatori, që nëse sasia e arit vihet në treg dhe nuk është i vulosur apo ekzaminuar nga laboratori qendror i Ministrisë së Tregtisë, ka dyshime dhe mundësi që ky ari të jetë jo i cilësisë së paraparë me udhëzim administrativ dhe shkalla e pastërtisë mund të jetë më e ulët”, tregon Fana.

Meqenëse bëhet fjalë për rreth 12 kg sasi të metaleve të çmuara, pjesa dërrmuese ari, atëherë vlera arrin rreth gjysmë milioni euro.

Për këtë, ligji parasheh dërgimin e rastit në gjykatë.

“Bazuar në të gjeturat, lënda do t’i dërgohet gjykatës kompetente në Prizren për mosekzaminim dhe mosvendosjen e çmimit në produkte”, shton Fana.

Për këtë sjellje të biznesit, Shqip.com ka kërkuar përgjigje dhe nga pronari i biznesit, por nuk ka dashur të prononcohet.

Tutje, peshorja nuk ishte kaliburuar nga marsi i vitit 2021, duke rritur kështu mundësinë e pasaktësisë së peshës.

“Në këtë rast peshorja ishte në vend të dukshëm për konsumatorë por nuk ishte e verifikuar. Për këtë rast inspektori i metrologjisë bëri proces dhe nga ky inspektim ky do te gjobitet edhe për peshoren që nuk është e verifikuar”, sqaron inspektori i Tregut.

Derisa sasia e metaleve të çmuara të deklaruar në stok doli të jetë në përputhje me gjendjen aktuale.

“Gjate kontrollit është bërë verifikimi i stoqeve të datës se sotme me gjendjen reale që ka qenë i ekspozuar në treg.

Pas verifikimit Dogana e Kosovës nuk ka gjetur ndonjë shkelje apo mall që nuk ka kaluar nëper procedura doganore”, tregon Albert Keqmezi, doganier.

Për ta rimbushur lokalin me ari, ai do të detyrohet që thasët e mbushur t’i dërgojë për kontroll në laboratorin e Agjencisë së Metrologjisë.