Grupi parlamentar i LDK-së ishin të pranishëm në Kuvendin e Kosovës në fjalimin vjetor të presidentes së vendit, Vjosa Osmani, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Mirëpo, me të përfunduar këtë fjalim, deputetët e VV-së të pranishëm u çuan në këmbë dhe duartrokiten Osmanin, por kjo nuk ndodhi me ata të LDK-së, të cilët ato momente jo vetëm që nuk duartrokitën, por po bisedonin me njëri-tjetrin.
“Presidentja Osmani ka dështuar t’i përmbushë obligimet e saj si presidente e vendit, për të përfaqësuar unitetin e popullit. Në shumicën e rasteve është në shërbim të kryeministrit, në funksion të agjendës së tij. Andaj, Grupi Parlamentar i AAK-së refuzon të marrë marrë pjesë në adresimin e Presidentes së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Ndërsa PDK kanë njoftuar se nuk do të jenë pjesë e seancës së organizuar për fjalimin vjetor të Presidentes Osmani.
“Grupi Parlamentar i PDK-së konsideron se organizimi i sotëm i fjalimit vjetor të Presidentes Vjosa Osmani, para deputetëve të Kuvendit, është një tjetër spektakël i pushtetit, që përmes rregullave formale të raportimit para Kuvendit, të mbulojë dështimin e mospunës së Presidentes”, u tha në njoftim. /Reporteri.net