Emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e mbështesin Ballkanin e Hapur, duke thënë se plotëson dy kushtet e tyre.
Ai ka treguar edhe se cilat janë këto kushte, derisa ka thënë se nëse dështon që t’i respektojë ndonjërën prej tyre, do ta tërheqin mbështetjen për këtë nismë.
“Qëndrimi ynë sa i përket Ballkanit të Hapur është shumë i qartë, ne mbështesim të gjitha nismat për integrim ekonomik rajonal, me dy kushte. E para, që ato t’ju sjellin më afër Evropës dhe të mos bien ndesh me obligimet tuaja evropiane, qoftë të Procesit të Berlinit apo çfarëdo nisme të udhëhequr nga BE-ja. Dhe e dyta, që të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor të lejohen që t’iu bashkohen [nismave] si anëtarë me të drejta të plota. Deri më tani, Ballkani i Hapur kualifikohet në këto dy kategori. Tani, nëse dështon që t’i respektojë ndonjërën nga këto dy kushte, ne absolutisht që do të tërheqim mbështetjen për Ballkanin e Hapur.”, ka deklaruar Escobar për REL.
Sipas Escobar, kjo nismë po përfiton nga trendët ekzistues të integrimit rajonal. Në këtë thotë të ketë ndikuar edhe pandemia COVID-19.
“Nisma e Ballkanit të Hapur po përfiton nga trendët ekzistues të integrimit rajonal. Dhe COVID-i e ka përshpejtuar këtë integrim në rajon, sepse njerëzit nuk mund të udhëtonin përmes transportit ajror, ata udhëtonin me vetura, udhëtonin më shumë me vetura në rajon. Keni parë serbët duke shkuar në bregdetin shqiptar, keni parë biznesmenët shqiptarë duke bërë më shumë biznes në Beograd, duke shkuar atje për t’u vaksinuar. Keni parë lidhje shumë të rëndësishme të energjisë dhe transportit midis Maqedonisë së Veriut dhe pjesës tjetër të rajonit. Pra, kjo veçse po ndodh. Pyetja është se si të krijohet më së miri momentumi për t’i larguar barrierat për tregti të lirë. Prandaj, qoftë Proces i Berlinit, Ballkan i Hapur, CEFTA, Këshill për Bashkëpunim Rajonal apo treg i përbashkët rajonal, ne i mbështesim të gjitha”, ka deklaruar Escobar.