Një skemë e pazakontë vjedhjeje është zbuluar në Tiranë, ku një grua dyshohet se fitonte besimin e bizneseve duke u punësuar si punonjëse, për t’i vjedhur më pas që në ditët e para të punës.
Sipas raportimit të Top Channel, bëhet fjalë për Kumrie Zikën, e cila dyshohet se ka përdorur të njëjtën metodë në disa raste, duke u kthyer në një shqetësim për biznese të ndryshme në kryeqytet.
Rasti më i fundit ka ndodhur në një biznes që merret me transferta parash dhe këmbim valutor në zonën e njohur si “Vorri i Bomit”.
Sipas të dhënave paraprake, Zika është paraqitur si e interesuar për punë dhe, pasi është pranuar nga pronarët për shkak të nevojës për staf, ka nisur punën normalisht.
Gjatë ditës së parë, ajo ka qenë vazhdimisht nën mbikëqyrjen e një punonjësi tjetër. Megjithatë, në një moment kur kolegu është larguar vetëm për pak sekonda, ajo dyshohet se ka përfituar nga rasti për të marrë rreth 5 mijë euro nga arka e biznesit.
Pas marrjes së parave, gruaja është larguar me shpejtësi nga ambientet e biznesit dhe është zhdukur në rrugicat e lagjes.
Menjëherë pas zbulimit të vjedhjes, pronarët kanë njoftuar Policinë, e cila ka analizuar pamjet e kamerave të sigurisë dhe ka bërë identifikimin e autores së dyshuar.
Vetëm disa orë më vonë, Kumrie Zika është lokalizuar dhe arrestuar nga policia në zonën e “21 Dhjetorit” në Tiranë.
Ajo pritet të dalë para gjykatës, ku do të përballet me akuzën për vjedhje.
Sipas informacioneve të siguruara nga Top Channel, kjo nuk është hera e parë që e dyshuara përdor një skemë të tillë. Dyshohet se ajo është punësuar edhe më parë në biznese të ndryshme dhe ka kryer vjedhje të ngjashme, ndonëse me shuma më të vogla parash.
Autoritetet po vijojnë hetimet për të verifikuar nëse Kumrie Zika lidhet edhe me raste të tjera të raportuara në Tiranë, ndërsa u kanë bërë thirrje bizneseve që kanë pasur përvoja të ngjashme të paraqesin kallëzimet pranë organeve kompetente.
Shënim: Personi i përmendur në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.