“Asociacioni dhe rruga pa krye” – Çfarë po kurdiset në dialogun Kosovë-Serbi?

Pas marrëveshjes për dokumentet personale me Serbinë, shpresohet që dialogut maratonik me këtë shtet ish okupator të Kosovës, po i afrohej fundi.

Mirëpo, duke parë problemet që së fundi nxori Serbia, për targat ilegale, pastaj largimi i policëve dhe zyrtarëve serb nga Institucionet e Republikës së Kosovës dhe deklaratat e Aleksandër Vuçiqit, se Serbia jo vetëm që nuk do ta njoh kurrë Kosovën, por do ta pengojë me çdo mjet dhe mundësi edhe pranimin e Kosovës në OKB.

Kështu shprehet analisti politik Gani Qarri, i cili shton se, duket se falë mbështetjes së hapur të partive opozitare të Kosovës ndaj kërkesave të Serbisë dhe animit publik të ndërmjetësuesve të BE-së ndaj Vuçiqit, nëse nuk ndërhynë më vendosmërisht dhe ta marrin përsipër drejtpërdrejtë ndërmjetësimin vet SHBA-te, bisedimet e kota me Serbinë, do të zgjasin edhe për një dekadë tjetër, pa asnjë rezultat.

“Serbia po llogaritë të përfitoj serish nga zhargitja e dialogut, siç ka arritur kohët e fundit ta ndryshojë tërësisht edhe rrjedhën e bisedimeve dhe nga opsioni që dikur parashihej për përfundimin e bisedimeve me njohje reciproke dhe një marrëveshje gjithëpërfshirëse, detyrimisht të pranueshme për të dy palët, tani pas më tepër se dhjet vitesh dialogimi shterpë, kemi një plan krejt tjetër mbi tavolinë si ai franko-gjerman, apo i BE-së, i cili parasheh përmbylljen e dialogut, pa njohjen e shtetit të Kosovës nga Serbia hegjemoniste”, thotë Qarri për gazetën “Bota sot”.

Ai thotë se, edhe përkundër të gjitha luftërave, gjenocidit dhe tragjedive që ky shtet agresor, ka shkaktuar, pothuajse në gjithë territorin e ish federatës jugosllave, deri në Kosovë, duket se ka aq shumë çështje për tu diskutuar me këtë shtet ish okupator.

Ai shton se qytetarët e Kosovës, me plot arsye e kanë humbur përfundimisht shpresën se mënyra aktuale e zgjidhjes së problemeve, pas më tepër se një dekade bisedimesh, mund të çojë te një marrëveshje gjithëpërfshirëse ku vërtetë Serbia do të detyrohej ta njihte Kosovën.

“Në fakt përfundimi i bisedimeve me Serbinë, është paralajmëruar disa herë, njëjtë si ai për liberalizimin e vizave, madje përveç Thaçit i cili lëshonte deklarime veresie, sa herë dëshironte t’i mashtronte qytetarët se kinse Serbia e njohu Kosovën, marrëveshja është afër dhe se kinse së shpejti do të përfundojnë edhe bisedimet, këtë e përsëriti edhe Avdullah Hoti qysh në Korrik të vitit 2020, duke deklaruar me bindje se Kosova është në fazën përfundimtare të përmbylljes së marrëveshjes me Serbinë dhe i gjithë procesi, sipas tij, do të mbyllej, vetëm për disa javë ose muaj dhe jo më shumë….”, thotë Qarri.

Mirëpo, sipas tij, nuk ka sinjal për marrëveshje Kosovë – Serbi.

“Por, ja sot, ku jemi, madje duke pasur parasysh qëndrimet agresive të Serbisë dhe Vuçiqit,i cili kërkon me këmbëngulje formimin e “zajednicës” por deklaron publikisht se kurrë, nuk do ta njohë Kosovën, nuk ka asnjë sinjal se vërtetë do të ndodhë një marrëveshje e mundshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, as në tre muajt e ardhshëm, siç po trumbetohet më kot edhe nga Qeveria aktuale”, shton ai.

Qarri përmend edhe deklaratat e emisari Eskobar dhe Christopher Hill.

“Për aq më keq, shkaku i ndikimit të islamistëve, ku ka ardhur koha që, përveç imamëve ekstremist turko-arab edhe një i ashtuquajtur këngëtar turbo-islamik, ta kërcënojë publikisht ministren e arsimit se po nuk u lejua mbulesa nëpër shkollat e Kosovës, ajo nuk do të jetë më ministre e Republikës, vend ku vetëm 23 vite pas çlirimit, janë ngritur si kërpudhat pas shiut rreth 1000 xhami, por asnjë objekt impresiv kombëtar, apo i kulturës evropiane e botërore, si dhe të gjitha asetet kryesore të vendit i janë falur Turqisë dhe dhëndrit të Erdoganit, miqësia me shtetet e NATO-s, BE-së dhe vet administratën e jashtme amerikane, përveçse ka filluar të vihet në dyshim, ajo fatkeqësisht ka nisë edhe të luhatet seriozisht, gjë që e dëshmon edhe qëndrimi i paqëndrueshëm i emisarit Eskobar dhe deklaratat e hapura pro-serbe të ambasadorit Christopher Hill, i cili vetëm para dy dekadash, ishte në anën e Kosovës”, pohon ai.

Ai thotë se kërkesa për krijimin e Asociacionit e bën të paqartë mundësit e një marrëeshje me Serbinë.

“Kështu që dialogu i filluar, qysh në mars të vitit 2011, me idenë e diskutimit të çështjeve teknike, me arsyetimin se kinse, do ta bënin më të lehtë jetën e përditshme për qytetarët e të dy vendeve, sot pas më tepër se një dekade dialogimi edhe nga ish miqtë e Kosovës, si SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania, kërkohet publikisht formimi i asociacionit kundërkushtetues një etnik serb, të nënshkruar dhe miratuar në Kuvend nga tandemi renegat Thaçi-Mustafa, për bosnjëzimin e vendit tonë, si hap paraprijës për ndarjen dhe ricopëtimin, e mundësisht edhe për shuarjen e tërësishme të vazhdimësisë së shtetit të brishtë të Kosovës, gjë që e bënë edhe më të paqartë dhe tërësisht misterioze, mundësinë e arritjes eventuale të ndonjë marrëveshje përfundimtare me Serbinë hegjemoniste, e cila sot më me agresivitet se kurrë më parë, në vend të pajtimit për marrëveshje, shpreh publikisht pretendime të hapura territoriale, ndaj pjesëve më vitale të Republikës së Kosovës, pa hasur në asnjë kundër-reagim të vendosur, të fuqive vendimmarrëse ndërkombëtare, gjë që duhet të na brengosë të gjithëve, se ç`fat po i kurdiset dhe në çfarë rruge, pa krye po futet vendi ynë-Kosova”, përfundon analisti politik Gani Qarri.