Serbia është duke vazhduar kërcënimet e saj në drejtim të Kosovës.
Së fundmi nga ministris e mbrojtjes serbe u kanë bë thirrje qytetarëve të Serbisë prej moshës 19 deri në 30 vjeç, të cilët dëshirojnë të veshin uniformën e forcave të armatosura serbe, të aplikojnë për shërbimin vullnetar 6-mujor ushtarak me armë.
Gjithashtu raportohet se tashmë në veri janë armatosur të gjithë serbët.
Për këtë çështje, analisti politik Gani Qarri thotë se, është shqetësuese kërcënimi i hapur i Serbisë dhe rreshtimi i opozitës me kërkesat hegjemoniste të Vuçiqit.
“Ajo që në këto momente kritike, shqetëson veçanërisht shumicën e qytetarëve, shumë më tepër se sa vet kërcënimet e hapura të Serbisë për invadim ushtarak në veri, nuk janë më, vetëm tensionet e krijuara artificialisht nga Serbia, as ftesat e saj për vullnetarë në ushtri, por rreshtimi i hapur i opozitës së inkriminuar të Kosovës, me kërkesat hegjemoniste të Vuçiqit dhe kërcënimet publike, antishqiptare të Serbisë, kundër Qeverisë, rendit kushtetues, tërësisë territoriale dhe sovranitetit të shtetit të lirë e të pavarur të Republikës së Kosovës”, thotë Qarri për gazetën “Bota sot”.
Ai thotë se këto kërkësa të Serbisë kanë të bëjnë me propagandë spekulative, krijimin e efekteve psikologjike dhe nxitjen e frikës për shpërthimin edhe të një lufte në Ballkanin Perëndimor.
“Duke pasur parasysh të drejtën e Kosovës për të rivendosur rendin e ligjin dhe ushtruar sovranitetin e vet shtetëror në gjithë territorin e saj, si dhe faktin e pranisë së trupave të NATO-së në kuadër të KFOR-it në këtë pjesë të vendit tonë, pa harruar këtu edhe përpjekjet e vazhdueshme të BE-së dhe SHBA-ve për gjetjen e një zgjidhje adekuate, tensionet e krijuara aktualisht, nga Serbia okupatore e cila ka filluar edhe thirrjet publike për vullnetarë në ushtri, besojë se më tepër, kanë të bëjnë me propagandë spekulative, krijimin e efekteve psikologjike dhe nxitjen e frikës për shpërthimin edhe të një lufte në Ballkanin Perëndimor, krahas okupacionit rus në Ukrainë, ku ushtria ruse po pëson humbje marramendëse dhe zmbrapset çdo ditë e më keq”, shprehet Qarri.
Sipas tij, përkundër kërcënimeve dhe propagandës së egër të Vuçiqit, të orkestruar nga shërbimet e fshehta ruso-serbe, në Veri të Kosovës, beson se nuk mund të fillojë ndonjë operacion invadimi, sipas modelit rus, për okupimin e Ukrainës.
“Ndërsa, ajo që me këtë rast, nuk mund të përjashtohet, janë veprimet e dirigjuara nga Serbia, të ekstremistëve të udhëhequr nga krerët e bandave kriminale serbe në krye me Millan Radojçiqin, Zvonko Veselinoviqin e kriminel të tjerë të vendosur që moti në Listën e Zezë të SHBA-ve, për aksione të kufizuara terroriste-kriminale së bashku me pjesëtarët e infiltruar ilegalisht, të trupave të organizatës terroriste ruse si “Ëagner” në veri të Kosovës”, shton ai.
Qarri pohon se, Serbia po dëshiron bosnjëzimin e Kosovës.
“Serbia me skenar të tillë, dëshiron të arrijë një pozicion favorizues dhe vendos ndërmjetësuesit ndërkombëtar, para aktit të kryer, për jetësimin e bosnjëzimit të Kosovës, me imponimin e “zajednicës”, duke keqpërdorur marrëveshjen kundërkushtetuese të nënshkruar nga tandemi i renegatëve Thaçi-Mustafa, si hap paraprijës për gllabërimin e Veriut të vendit tonë, ndarjen territoriale dhe shuarjen e shtetësisë së Kosovës”, thotë Qarri.
Por një gjë është e sigurt, vlerëson Qarri, “se Serbia, po nuk pati edhe përkrahjen ndërkombëtare, as që mund të rrezikojë edhe një herë, aksionet e NATO-së, kundër ushtrisë së saj okupatore, si më 1999, ndaj edhe gjasat për një konflikt me Serbinë në kufirin verior, nuk kanë arsye të ekzagjerohen, pasi që Kosova, si shtet i pavarur, me pavarësi të vulosur që më 2010 nga GJND dhe njohje nga mese 120 shtete ndërkombëtare, anëtare me të drejta të plota të OKB-së, ka të drejtë të vendos rendin e ligjin në gjithë territorin e vet!”
“Nisur nga ky fakt, ajo që shqetëson shumicën e qytetarëve të Kosovës, shumë më tepër se sa vet kërcënimet e hapura të Serbisë për invadim ushtarak në veri, nuk janë tensionet e krijuara artificialisht nga Serbia, as ftesat e saj për vullnetarë në ushtri, por rreshtimi i njëkohëshëm publik i opozitës së inkriminuar të Kosovës, me kërkesat e hapura hegjemoniste të Vuçiqit dhe propagandën puro-antishqiptare të Serbisë, kundër Qeverisë dhe shtetit të Kosovës”, potencon ai.
Qarri shton se, populli i Kosovës nuk frikësohet nga thirrja e Serbisë për armatosjen e qytetarëve të saj.
“Kështu që, popullin e Kosovës nuk e frikëson as thirrja e ministrisë serbe të mbrojtjes, që qytetarët e Serbisë prej moshës 19 deri në 30 vjeç, të cilët dëshirojnë të veshin uniformën e forcave të armatosura serbe, të aplikojnë për shërbimin vullnetar 6-mujor ushtarak me armë, por kolaborimi i pa-turp i opozitës së partive të inkriminuara shqipfolëse në Kosovë, me Aleksandër Vuçiqin dhe Serbinë hegjemoniste, kundër Qeverisë Kurti dhe Republikës së Kosovës, veprimet e të cilave duhet ti shqyrtojë dhe hetojë deri në detaje, prokuroria e shtetit, për parandalimin e ndonjë tradhtie të madhe, në sinkron me Vuçiqin dhe Serbinë okupatore, kundër rendit kushtetues, tërësisë territoriale, lirisë dhe sovranitetit të Republikës së pavarur të Kosovës!”, përfundon Gani Qarri.