Kryetari i komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, ka demantuar pretendimet e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi, se ka takuar përfaqësues të Listës Serbe.
Hamza përmes një reagimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se sot me kryetarin e Vushtrrisë, Ferit Idrizi, kanë zhvilluar një drekë pune.
Ai shtoi se gjatë këtij takimi, nuk ka biseduar dhe nuk ka parë ndonjë zyrtarë të Listës Serbe.
“Gjatë ditës së sotme, me ftesë të kryetarit të Vushtrrisë, z. Idrizi, unë dhe Z. Fadil Nura kemi zhvilluar nje drekë pune për të diskutuar për zhvillimet në ndërmarrjen e përbashkët komunale “Uniteti”. Gjatë kësaj dreke, unë as nuk kam parë, as nuk kam biseduar me asnjë anëtar apo deputet të Listës serbe”, ka shkruar ai.
Veç kësaj, Hamza tha se për këtë çështje, me deputetin Thaçi “do të ballafaqohen” në gjykatë.
“Sa i perket gënjeshtrave dhe shpifjeve të deputetit të Vetëvendosjes, Halil Thaçi, do të ballafaqohemi së shpejti në gjykatë!”, shtoi ai.