Kryeministri Albin Kurti e konsideronte fort të lehtë kushtëzimin e Serbisë.
Në një intervistë në TV Klan më 22 shkurt 2012, Kurti atëherë si opozitar thoshte se me Lëvizjen Vetëvendosje në pushtet, “kollaj” do të ndaloheshin mallrat serbe.
“Me pushtetin e Lëvizjes Vetëvendosje një gjë e tillë do të bëhej e mundur shumë kollaj”, thoshte Kurti.
“Ne nuk eksportojmë dot atje. Pse ata të eksportojnë te ne?”, theksonte kryeministri i tanishëm.
Ai kishte thënë se Serbia duhej kushtëzuar.
“Serbia duhet të kushtëzohet. Gjithkund në botë shtetet kushtëzojnë njëra-tjetrën atëherë kur shtetet e caktuara nuk i lajnë borxhet”, shprehej ai.
“Si mund ta kushtëzojë Kosova Serbinë?”, e kishte pyetur autori i “Opinion”, gazetari Blendi Fevzliu.
“Po tamam kjo: e bllokon kufirin dhe thua nuk ta lejoj tregun e Kosovës përderisa sillesh në mënyrë kriminale ndaj meje”, kishte thënë Kurti.