Zoti Kurti nuk është zëdhënës i Qeverisë së Serbisë dhe se nuk i takon atij të të tregojë çfarë ka vendosur Serbia, ka thënë një zëdhënëse e BE-së për gazetën online Reporteri.net pyetur rreth pohimit të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se është Serbia ajo që ka refuzuar planin franko-gjerman.
Ndonëse Bashkimi Evropian në përgjigjen për gazetën online Reporteri.net, as nuk e mohon e as pohon se a e ka refuzuar ose jo Serbia propozimin franko-gjerman, thotë se “nuk jemi në dijeni që zoti Kurti është zëdhënës i Qeverisë së Serbisë”.
Pyetur nga gazeta online Reporteri.net se “a është fakt se Serbia, siç thotë Kryeministri Kurti, e ka refuzuar planin franko-gjerman”, një zëdhënëse e BE-së i tha gazetës online Reporteri.net se “Ne nuk jemi në dijeni që zoti Kurti është zëdhënës i Qeverisë së Serbisë prandaj për pozicionin e Serbisë do të ishte e duhur të kërkojmë përgjigje nga autoritetet serbe”.
“Ne nuk flasim në emër të tyre”, thuhet në përgjigjen e BE-së.
Në anën tjetër, zëdhënësja i refereohet deklaratës së shefit të diplomacisë evropiane Josep Borell që “menjëherë” të shtyhet çështja e zbatimit të vendimit për riregjistrimin e targave ilegale “KM” si dhe masat ndëshkuese.
“Autoritetet e Kosovës të respektojnë obligimet e tyre pa u vonuar. Kjo do të thotë që të zgjatet menjëherë procesi i riregjistrimit të veturave dhe pezullimi i masave ndëshkuese ndaj vozitësve me targa KM. Çështja e targave mund të zgjidhet nga Palët përmes dialogut”, thuhet në përgjigjen për Reporteri.net.
Kryeministri Kurti tha se Aleksandar Vuçiç e ka refuzuar planin franko-gjerman, dhe si nevojë të tij për ta maskuar refuzimin ka thirrur për tërheqjen e serbëve nga institucionet e Kosovës në pjesën veriore të Kosovës.
Me të refuzuar këtë plan, Kurti tha se Vuçiç iu kthye metodave destabilizuese në Kosovë.