Fjalët “nuk ta ka dhanë populli o’ vëlla”, me të cilat Albin Kurti përulte opozitën në qëndrimet e tyr për presidentin, i erdhën në vizitë vetë shqiptuesit të tyre më 7 qershor.
Vetëvendosja humbi nëntë mandate në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, sipas rezultateve preliminare.
Ranë nga 51.1% në 42.45%, duke dështuar të marrin shumicën prej 60% që Kurti kishte kërkuar për ta pasur si leje-popullore për president të vetin.
Me t’u konstituar Kuvendi nis ora e 60 ditëve kushtetuese për zgjedhjen e presidentit. Moszgjedhja brenda këtij afati e dërgon vendin sërish në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Albulena Haxhiu, zyrtarja kujdestare e institucionit të presidentit, deklaroi sot se “duhet të ulim të flasim seriozisht” me partitë politike. Haxhiu pretendoi se Vetëvendosja tani kërkon zgjidhje.
“Nëse do të ketë vullnet prej partive politike, do të gjendet zgjidhje,” tha ajo.
“Kemi shumë dallime, por për çështjen e presidentit duhet të ulemi dhe të dëshmojmë vullnet.”
Çështja publike është shtruar në dy trajta: koalicion mes Vetëvendosjes dhe ish-opozitës, përkatësisht dy partive më të mëdha PDK-së apo LDK-së, ose zgjedhje të reja në vjeshtë.
LDK-ja ka dhënë indikatorë për mundësinë e marrëveshjeje politike me Vetëvendosjen.
Lumir Abdixhiku mbrëmjen e zgjedhjeve deklaroi se “pikënisje e çdo negociate” do të jetë çështja e presidentit dhe kandidatja e tij Vjosa Osmani.
Osmani vetë tha se “Vetëvendosja nuk ka asnjë arsye të refuzojë emrin tim.” Pas reagimeve të ashpra, e zbuti qëndrimin në “emri im nuk do të jetë pengesë për formimin e institucioneve.”
Në një intervistë për CNN, Osmani foli për “kompromis për të tre institucionet.”
“Kompromisi është i nevojshëm jo vetëm për presidentin, por edhe për qeverinë dhe udhëheqjen e parlamentit,” tha ajo.
Nga radhët e Vetëvendosjes tashmë kanë dalur disa deputetë që deklarojnë se nuk do ta votojnë Osmanin, nëse propozohet si kandidate.
Bedri Hamza i PDK-së tha se “nuk ka vija të kuqe” për asnjë parti, por preferenca e tij mbetet qeveria e ish-opozitës. Hamza kushtëzoi gjithashtu se çdo marrëveshje “duhet t’i paraprijë konstituimit të Kuvendit.”
“Mendoj që për me pasur institucione shpejt dhe të qëndrueshme, duhet me pas marrëveshje politike qysh tash,” tha Hamza.
Përparim Gruda i PDK-së e konkretizoi edhe më tej qëndrimin e partisë së tij.
Ai tha se çdo marrëveshje me Vetëvendosjen duhet të ketë Bedri Hamzën kryeministër. PDK-ja mund t’ia linte presidentin Vetëvendosjes, madje edhe vetë Kurtit, shtoi Gruda.
Por “vijë të kuqe” e kanë çështja e gazit amerikan. Kurti e ka refuzuar këtë propozim, dhe Gruda e cilëson këtë refuzim “rrezik kombëtar për Kosovën.”
“Nëse bëhet fjalë për një qeveri që refuzon gazin amerikan dhe ka tendenca me mbajt Kosovën të varfër, unë e shoh një koalicion të pamundur,” tha Gruda. Por nuk e përjashtoi plotësisht: “Për presidentin jemi detyruar me negociuar të gjithë.”
AAK-ja dhe kryetari i saj i ri, Ardian Gjini, mbrojnë një zgjidhje tjetër krejtësisht. Ai kërkon që qeveria e ardhshme të krijohet nga ish-opozita: PDK, LDK dhe AAK, pa Vetëvendosjen.
Gjini e bëri këtë deklaratë në emisionin “Rubikon” të Klan Kosovës në intervistën e tij e parë pas zgjedhjeve.
“Opozita duhet ta ndalojë Vetëvendosjen që të mos e bllokojë më shtetin,” tha ai. “Nëse vazhdojmë kështu, Kosova ka me pësuar shumë keq.”
Gjini i ftoi PDK-në dhe LDK-në të bashkohen, duke pranuar se AAK-ja do të jetë partneri më i vogël. “Kam të drejtë të plotë legjitime me i ftuar,” tha ai.