Profesori i astronomisë del me një propozim interesant rreth ndryshimit të orës në Kosovë

Profesori i astronomisë, Milaim Rushiti, deklaroi se për Kosovën, ora verore do të ishte me e shfrytëzueshme në aspektin e energjisë diellore. Ai deklaroi në KTV, të hënën se ndërrimi i orës e ka zanafillën me qëllim të shfrytëzimit të kësaj energjisë.

“Kjo është e duhura sikur të ishte e përdorshme për ne. Shtetet perëndimore kanë profit nga ndërrimi i orës, ndërsa ne e humbim një orë diellore. Në Evropë është në diskutim mosndërrimi i orës dhe të vendosë secili shtet veç e veç. Kosova duhet të qëndrojë me orë verore, maksimumi që mund të lindë dielli është ora 8:03 gjatë dimrit”, deklaroi ai.

Sipas profesorit, më mirë do të ishte shfrytëzimi i diellit në mëngjes ngritur, sesa në gjumë.
Psikologia Ibelinda Halili u shpreh se lëvizja për një orë para ose prapa, nuk jep shumë efekte te njeriu, por që sipas saj, ndërrimi mund të ndikojë në ciklin e gjumit dhe të të ngrënit.