kryeministri i vendit, Albin Kurti e ka shtyrë afatin për targat deri me muajin prill, por ky vendim i tij nuk u prit mirë nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Shteti mik i Kosovës u shpreh i zhgënjyer me vendimin e Qeverisë Kurti për mos zbatimin e kërkesës së tyre rreth afatit për targa, shkruan Periskopi.
Me këtë vendim të shefit të Qeverisë nuk po pajtohet as ish-ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu.
Në një prononcim për Periskopin, Veliu e vlerësoi si një gabim tjetër të Qeverisë e të pakoordinuar me ndërkombëtarët.
“Vendime të pakoordinuar, me gabime dhe lëshime. As nuk kam ndier vendim për zbatim të një vendimi ashtu si duhet, gabimi tjetër që nuk është koordinuar me faktorin ndërkombëtarë, me miqtë tanë ShBA. Vendim jo i mirë për Kosovën”, tha Veliu
“Kur ata (ShBA) thonë që janë të zhgënjyer aty nuk ka koment”, përfundoi Veliu.
Zhgënjimi i ShBA-ve me Qeverinë Kurti
Pas vendimit të Kurtit për targat, DASh ka dalur me një komunikatë, ku treguan zhgënjimin e tyre me Qeverinë Kurti.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, krahas partnerëve tanë ndërkombëtarë, i kërkojnë qeverisë së Kosovës që të zgjasë periudhën e zbatimit të vendimit për targat. Kosova ka të drejtë të zbatojë regjimin e targave sipas Marrëveshjes së Brukselit, por zgjatja e afatit është në interes të përparimit në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat për ta bërë këtë nga partnerët e saj ndërkombëtarë. Kosova dhe Serbia duhet të punojnë urgjentisht dhe në mënyrë fleksibël për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për marrëdhëniet e normalizuara, me në qendër njohjen reciproke”, thuhet në reagim.
Çka përmban vendimi i ri i Kurtit për targat?
Dje kryeministri Kurti në mbledhjen e mbajtur të Qeverisë njoftoi për vendimin e ri rreth afatit për targat, vendim ky i shoqëruar me disa masa shtesë.
Plani i ri i prezantuar nga Qeveria parasheh që pas datë 21 prill të mos lejohen asnjë targë tjetër që nuk janë RKS.
“Për tri javë, duke filluar nga data 1 nëntor deri më 21 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit. Pastaj, nga 21 nëntori, për dy muaj deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes dhe më pastaj nga 21 janari do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë, pas së cilës datë, më 21 prill nuk mund të ketë sepse nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë mbledhjes së Qeverisë./Iliriana Xhylani-Periskopi