Zëvendëskryeministrja, Emilia Rexhepi, i është kundërpërgjigjur deputetit të PDK-së, Hajdar Beqës, i cili përveç se ka hedhur kritika ndaj menaxhmentit dhe Bordit të RTK-së për shkëputjen e 239 kontratave të punës në transmetuesin publik, përmendi punësimin e vajës së saj në televizionin publik të Kosovës.
Ajo tha se vajza e saj është e punësuar në RTK 2 që tetë vite, kurse tashmë së fundi, përmes një procesi të rekrutimit u pranua sërish në televizionin e vetëm publik të vendit.
Sipas zëvendëskryeministres së tretë për Çështje të Pakicave dhe Drejtat e Njeriut, deputeti Beqa nuk ka punë të tjera pos të merret me kësi lloj gjërash.
Madje, ajo u shpreh se pse ai dhe deputetët e tjerë opozitarë nuk flasin kurrë për Listën Serbe, por vetëm për komunitetet e tjera.
E kontaktuar nga Paparaci, zv/kryeministrja theksoi se politikanë në Kosovë po kërkojnë të gjejnë diçka keq tek ajo, por nuk mund ta arrijnë këtë
“Vajza ime është e punësuar në RTK 2 që tetë vite. Ajo tash ka hyrë në një konkurs i cili ka qenë transparent dhe është pranuar. Ai (Hajdar Beqa) nuk ka tjetër punë, pos të merret me kësi gjëra. Pse ai ose deputetët e tjerë shqiptarë nuk folën kur është larguar vajza ime nga RTK-ja bashkë me gazetarët e tjerë si pasojë e ‘reformave’ të RTK-së? Asnjë deputet shqiptarë nuk ka folur për këtë temë. Vajza ime është gazetare e cila punon në RTK 2, bashkë me kolegët e tjerë nga komunitetet boshnjak, romë dhe ashkalinj”, tha ajo.
Mes tjerash, Rexhepi ka thënë se është interesante që është përmendur çika e saj në Kuvendin e Kosovës, pasi nuk është shkelur ligji aspak mbi punësimin e saj në RTK.
“Që 15 vjet politikanët lypin veç me gjet diçka keq për mua, pasi s’kam asnjë gabim. E tash hajde (të flasim) për çikën. Katastrofë. Po më duket pak interesante, sepse ne nuk e kemi shkelur ligjin aspak. Vajza ka pritur katër muaj për konkurs, ka hyrë në test e ka kaluar më së miri, e ka kryer fakultetin dhe është pranuar. Çka ka këtu të keqe? Pse nuk po flasin për Listën Serbe por vetëm për komunitetet tjera”, shtoi ajo.
Krejt në fund, ajo përmendi se që 20 vite të gjithë zëvendëskryeministrat kanë qenë nga komuniteti serb, kurse tash e një kohë një situatë e tillë ka ndryshuar.
Ditën e djeshme, deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa tha se “përjashtimi nga puna i 239 punëtorëve dhe punësimi i një fëmije të ministrit aktual, është e pa ndershme”.
“Është për keqardhje që menaxhmenti aktual, Bordi aktual i RTK-së, në kohën kur i shkëputi 239 kontrata, e punësoi një fëmijë të ministrit përkatës, një anëtari të kabinetit të qeverisë aktuale Kurti”.
“Ndoshta i ka plotësuar kriteret, dhe ndoshta e meriton të punojë, por është e pandershme që një menaxhment sot, në vitin 2022, në këtë krizë ekonomike, t’i shkëputë kontratat 239 punëtorëve të RTK-së dhe të fusë në punë një fëmijë të një ministri aktual. Kjo është e saktë, e marrë edhe përgjegjësinë morale edhe juridike dhe qëndroj prapa kësaj që e theksoi”, theksoi ai në seancën e mbajtur të hënën.