Vuçiqi dhe Batoni hedhin gurin në ujë – njëqind budallenj turren te gryka e pusit!

Dalldi e madhe për ta pranuar ose jo draft-marrëveshjen e dyshes franko-gjermane. Lëshoi portali serb i Baton Haxhiut, licencuar në Tiranë, një gur në pus dhe njëqind të tjerë u hodhën në grykën e pusit për ta nxjerrë atë gur. Është fjala për të ashtuquajturën draft-marrëveshje hartuar nga Franca dhe Gjermania. Ndërkohë presidentja Osmani thotë se nuk ka një draft të tillë. Dmth se nuk ka as një ultimatum “Ja ku është marrëveshja, ose firmoseni, ose jo”!

Presion për një marrëveshje pro-serbe

Këtë fakt e pranoi gjithashtu ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Esckobar, kur kërkoi shtyrjen e ndërrimit të targave për dhjetë muaj të tjerë. Vuçiqi ka folur për javë në implementimin e asaj që ai e ka konsideruar marrëveshje e detyruar nga Berlini dhe Parisi. Po kështu edhe Batoni. Por, Escobar e përgënjeshtroi këtë. Dhjetë muaj nuk janë javë, por gati një vit! Për të mos folur pastaj për kohën e pas dhjetë muajve që do të duhej të firmosej një marrëveshje përfundimtare me Serbinë.

Megjithatë janë rrekur politikanë, diplomatë e ish-ambasadorë, analistë e gazetarë që të kërkojnë medoemos të nënshkruhet ajo që nuk ekziston. Madje me një lloj ultimatumi në stilin “Më mirë nënshkruani propozimin franko-gjerman, sesa të imponohet ndarja e Kosovës”! Të tjerë, sidomos opozitarët e Prishtinës i thonë kryeministrit Kurti: “Ose firmos marrëveshjen, ose ik nga pushteti”, duke nënkuptuar që të vijnë ata e ta nënshkruajnë një marrëveshje pro-serbe.