“Stupcat Group” pritet të dal sot me reagim ndaj akuzave të Osmanit Azemit, njërit prej aksionarëve të kompanisë, për keqpërdorime financiare në dëm të tij.
Dy aksionarët tjerë të kompanisë “Stupcat”, Vedat Bajrami dhe Mensur Safqiu, do të japin sot përgjigje ndaj akuzave të Osman Azemit. Reagimi pritet të publikohet në emër të kompanisë, i ka thënë Paparacit një burim shumë i afërt me “Stupcat”.
Përgjigja e “Stupcave” ndërlidhet me akuzat e Osman Azemit për dyshimet e keqpërdorimit të 150 mijë eurove të kompanisë.
Avokati Kushtrim Palushi, përfaqësues ligjor i Osman Azemit, ka thënë të mërkurën se do t’i drejtohej organeve kompetente, Prokurorisë së Shtetit dhe ATK-së për denoncimin e keqpërdorimeve të pretenduara.
Sipas avokatit Palushi, Osman Azemi ka kërkuar auditimin e transaksioneve financiare me iniciativë të tij, ku sot më datë 19.10.2022 ai ka pranuar edhe raportim e auditimit për atë periudhë (bazuar vetëm në në pasqyrat e llogarive bankare dhe deklaratat tatimore të kompanisë Stupcat Group).
Sipas atij raporti, kontabilisti Ekrem Sadiku gjatë asaj periudhe ka tërhequr nga xhirollogaria bankare e Stupcat Group shumën prej së paku 152,514.00 Euro, pa dijeninë dhe pa autorizimin e Osman Azemit, si aksionar i kompanisë.
“Osman Azemi nuk ka njohuri se ku kanë përfunduar ato mjete dhe me autorizim të kujt i ka tërhequr”, thuhet në një kallëzim penal të përpiluar nga avokati Palushi.
Së fundmi, “Stupcat” kanë paralajmëruar rikthimin në skenë pas një periudhe disa mujore pa aktivitete në publik.