Berisha i LDK-së: Franca i tha jo Albin Kurtit për liberalizim të vizave

Zyrtari i lartë i LDK-së, Anton Berisha konsideron se kushtëzimet e reja të BE-së për liberalizim të vizave janë dështim i Kosovës.

Ish-ambasadori i Kosovës, në një përgjigje për gazetën Nacionale tha se kriteri i ri për liberalizmin e vizave për Kosovën është një “jo” ndaj qeverisë se tanishme të Kosovës nga Bashkimi Evropian.

“Sistemi ETIAS është sistem elektronik i sigurisë që është në funksion prej vitit 2016 dhe aplikohet për 63 vende që u janë liberalizuar vizat.

Fakti që ky sistem pritet të kompletohet në nëntor të vitit 2023, atëherë ajo mund të supozohet si datë e liberalizimit për Kosovën. Kjo qasje e BE-së, është një ‘JO’ qeverisë së Kosovës për liberalizim dhe një ‘PO’ me pritje për popullin e Kosovës”, tha Berisha.

Tutje, Berisha i tha gazetes Nacionale se Kosova e ka humbur rastin në vitin 2016-të dhe se në BE ka një skepticizëm ndaj Kosovës.

“Kosova e ka humbur rastin me 2016 kur Vjosa Osmani e Albin Kurti pamundesuan plotësimin e kushteve për liberalizim, dhë në të njëjtën kohë përgjigje për stagnimin e vazhdueshëm të Kosovës në vitet e fundit e sidomos në qeverisjen de facto të paralizuar të Albin Kurtit. Për këto arsye ka një rritje skepticizmi në Europë ndaj mungesës së përkushtimit tonë ndaj vlerave dhe standardeve europiane”, tha ai.