Të gjithëve na kujtohet një përplasje, gati fizike, e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, me Presidentin e Serbisë, Aleksander Vuciq, kur u patën takuar për herë të parë në Beograd. Pastaj kishte lindur një dashuri dhe pasion irracional.
Berat Buzhala
Nëse e shpërlajmë fjalimin e Edi Ramës prej frazave të bukura, që duken të shkruara nga ndonjë këshilltar anglez, tri ishin arsyet për të cilat Kryeministri i Shqipërisë u ngjit sot në podiumin e Këshillit të Evropës:
1. Të flas si lider i Ballkanit;
2. T’i ndihmojë Thacit;
3. … Vuciqit.
E kam parasysh që pas këtij fjalimi të gjatë dhe të shkruar bukur kishte entuziazëm në Kosovë. U duk që më në fund një shqiptar i bëri për pesë pare… Por kënd? Kënd i bëri për pesë pare?
Fjalimet e bukura dhe të forta kur dalin prej gojës së liderëve të shteteve të korruptuara dhe të kapura dalin qesharake. Madje dalin qesharake kur dalin prej gojës së kryeministrave të shteteve të vogla. Pikë. Nuk ka nevojë që të jenë të korruptuara. Prandaj, krejt cfarë kemi mësuar dhe kemi lexuar në histori janë ato fjalimet e fuqishme të Churchillit, Kennedit, Villi Brandit, De Gaulle, e nuk kemi lexuar a mësuar për ndonjë fjalim që e dridhi botën që ka dalur prej gojës së kryeministrit të Sllovakisë, Moldavisë, Estonisë a Finlandës.
Rama, duke kaluar kohë të gjatë nëpër takime me Erdoganin, disi e sheh vetën lider të atyre përmasave.
Një pjesë të madhe të fjalimit të tij prej mbi 4000 fjalësh ai ia kushtoi lirisë dhe paqës. Krejt cfarë mungonte aty ishte edhe ndonjë mendim i mencur për kërcënimin nuklear të Rusisë. Pse jo? Hapësirën e kishte, e nuk i mungon as talenti për të interpretuar. Por rreziku është tepër i madh, që nëse një i panjohur do të pyeste se “kush është ky burri i gjatë që po flet kaq bukur” ai do t’ia plaste gazit nga përgjigja, sepse ky burri është tash e 10 vjet kryeministër i një shteti ku shkalla e krimit dhe e korrupsionit është ndër më të lartat në botë, kurse të hyrat vjetore për kokë të banorit qytetarët e tij i kanë rreth 5 mijë dollar. Në shtetin e tij ende nuk dihet nëse e kanë vrarë njëfar Vis Martinin apo është arratisur. Pastaj, nëse është vrarë, nuk dihet nëse e ka vrarë shteti, apo bandat rivale.
Fotografia e liderit të Ballkanit nuk do të duhej të dukej kështu. Ajo cfarë mund të mësojmë prej këtij fjalimi të gjatë dhe të bukur të Ramës madje është edhe më inkrimunuese për të, se sa që në shikim të parë mund të duket. Rama e di cfarë është mirë e cfarë nuk është, por që qëllimshëm është dorëzuar dhe nënshtruar në vendin e tij. Qëllimshëm i ka lakuar rregullat demokratike në favorin e tij dhe grupeve të interesit që ai i përfaqëson.
Do t’i vëja bast 10 euro që një pjesë të fjalimit, atë pjesën e parë, e ka shkuar ish këshilltari i Toni Blairit, Alaister Campbell. Nuk ka asgjë të keqe, përvecse këshilla e atij që e ka porositur ka qënë: tregohu i kujdesshëm me Serbinë e sotshme.
Gjatë gjithë fjalimit të tij Rama ka ecur nëpër një tel të hollë. Ka folur për luftërat dhe krimet në Ballkan, duke u rezervuar maksimalisht që ta drejtojë gishtin akuzues kah adresa e duhur dhe e vetme e këtyre krimeve: Serbia. Këtë mungesë të guximit e kompenzonte duke e goditur Putinin dhe Rusinë. Duke folur për tema të mëdha globale dhe peshën që e ka stabiliteti në Ballkan.
Rama ishte kirurgjikisht i kujdesshëm që ta kursente Serbinë e sotshme prej cfarëdo analogjie me Rusinë, apo edhe me krimet që Serbia i ka kryer në Kosovë. Kur foli për luftën në Kosovë ai tha se përgjegjës ishte “kasapi” Milloshevic, që, sipas fjalëve të Ramës, e kishte “pushtuar karrigën e komandantit të përgjithshëm të ushtrisë”. Grgrggr.
Duhesh të jesh tepër tolerant dhe shpërfillës ndaj fakteve dhe ndaj historisë për të arritur në këtë konstatim. Serbia, përvec që e ka Presidentin e vendit të përfshirë direkt në krime të luftës në Kosovë, ministër të Punëve të Brendshme e ka Aleksandër Vulinin një fashist dhe racist të ndyrë. Ta quash Vulinin qoftë edhe vetëm si pro rus, cfarë edhe është, është shfajësim për të. Vulin është shumë më shumë se sa vetëm aq. E gjithë nomenklatura politike e Serbisë së sotshme i ka rrënjët në Serbinë e djeshme.
Pastaj, të thuash që Milloshevic e kishte pushtuar karrigën e komandantit të përgjithshëm të ushtrisë, është, në rastin më të mirë mungesë totale e njohjes së realitetit në Ballkan në vitet e 90’ta, kurse në rastin më të keq tendencë për të shtrëmbëruar qëllimshëm historinë në dëm të shqiptarëve. Milloshevic kurrë nuk e ka pushtuar atë karrige. Ajo karrige i është dhënë atij me zgjedhje, me referendum dhe me pajtim të plotë të popullit serb. Sot e kësaj dite, askush që është në pushtet në Serbi, asnjë fjalë të keqe për vozhdin e tyre nuk e thonë. Vuciq pati deklaruar që Milloshevic kishte gabuar taktikisht, sepse koha nuk kishte qënë e favorshme për Serbinë, por assesi nuk kishte gabuar në qëllimet që i kishte pasur.
Mos të harrojmë, Kisha Ortodokse e Serbisë, që është shtet paralel në Serbi, që në segmente të caktuara është më e fuqishme se sa vetë qeveria, dje e bekoi njërin prej kriminelëve më famëkeq të Serbisë, Vladimir Lazarevicin, të dënuar nga Tribunali i Hagës për ish Jugosllavinë. Unë e kuptoj dëshirën, le të themi deri diku benine të Ramës, për ta afruar Serbinë kah BE, por minimalisht një përpjekje e tillë është naive.
Rama goditi Serbinë me një grusht të pambukut edhe kur foli për Tribunalin Special. Si nëpër dhëmb Rama e tha që prokurorët dhe diplomatët janë mburrur me raportin e Dick Marty’it si dhe e kanë furnizuar me dokumentacion prokurorinë e Tribunalit Special, e në ndërkohë nuk e kishte përfshirë në këtë fjalim një gjë tepër të rëndësishme: Shteti i Zvicrës ka deklaruar zyrtarisht se shërbimi sekret serb ka dashur të vras senatorin zviceran. Për këtë ka folur edhe vetë senatori Marty. Denoncimi me fakte, i këtij plani, në Këshill të Evropës do të ishte shumë më i fuqishëm se sa të flitej në mënyrë të vagullt për disa diplomatë serbë që mburren, a se prokuroria serbe i paska dhënë dokumente prokurorisë së Tribunalit Special.
Ramës i mungonte dëshira për ta tejkaluar ambicien e tij të një ‘lideri Ballkanik”. Rama e di që ëndërra e tij për një udhëheqës të këtij rajoni mund të realizohet vetëm në bashkëpunim me Presidentin e Serbisë, prandaj kujdesej që ta kursente.
Nuk do ta merrja mundin që t’ia analizoja Ramës këtë fjalim, sikur reagimet në Kosovë të mos kishin qënë kaq ekzaltuese. Më duhet t’ua thyej zemrat të gjithë atyre që e ngritën në qiell kryeministrin e Shqipërisë, duke u thënë që Rama nuk u mor me fakte por me letërsi.
Pjesën më të madhe të fjalimit të Ramës, në masë pothuajse 95 përqind, do t’ia kishte aprovuar edhe vetë Aleksandër Vuciq. Dikush do të mund të thoshte se kjo nuk është e mundur, sepse Rama foli edhe për Kosovën e pavarur, madje bëri thirrje që Kosova të quhet “Kosovë”. Nëse dikush ende i gëzohet këtij fakti, që një kryeministër i Shqipërisë e mbron Kosovën në arenën ndërkombëtare, atëherë këto janë pritje minimale për një shqiptar mesatar, e lërë më për një udhëheqës të lartë politik, që tek e fundit e ka edhe obligim kushtetues që ta bëjë këtë gjë.
Rama është mjaftueshëm i zgjuar sa këtë ta bëj në mënyrë artistike, sepse e kishte plotësisht të qartë se për cfarë audience po fliste. Lojërat e tij të fjalëve për Kosovën shtet të pavarur ishin shumë më të parëndësishme se sa mungesa serioze e denoncimit të Serbisë. Por Rama e din që këto janë nuanca që luajnë rol tek shqiptarët.
Mua personalisht nuk më ka entuzizmuar Edi Rama as atë herën e parë kur ishte përplasur me Vuciqin në Beograd, e as tash në Këshill të Evropës. Këto janë më shumë performanca teatrale se sa pozicionime serioze politike.
Nuk mendoj që Shqipëria duhet t’i shpallë luftë Serbisë, por gjithashtu as nuk mendoj që flirti i tij me Vuciqin është në interes të ndonjëfarë kauze kombëtare.
Pas disa vitesh hendikepi patriotik Edi Ramës i erdhi dita edhe për disa ditë lavdi. Nuk do t’i zgjas shumë. Në takimin e radhës me presidentin e Serbisë do ta kuptojmë cmimin e fjalimit në Strasburg.